Kryeministri Kurti takohet me ekspertin botëror për menaxhimin e pandemisë Covid-19

Prishtinë | 22 Dhj 2021 | 18:51 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, dr. Rifat Latifi, dhe ish-ministrin e Shëndetësisë, dr. Arben Vitia, ka mbajtur një takim virtual me Sir Jeremy Farrar, ekspert botëror për menaxhimin e pandemisë COVID-19. Sir Jeremy Farrar mban pozitën e Drejtorit të Fondacionit “Wellcome Trust” të Mbretërisë së Bashkuar dhe ka shërbyer si anëtar i Grupit Këshillëdhënës Shkencor për Emergjenca (SAGE), organi kryesor për ofrimin e këshillave për Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar rreth menaxhimit të pandemisë.

Gjatë këtij takimi, Sir Jeremy ka ofruar ekspertizën e tij se si Kosova duhet të përgatitet për ardhjen e variantit Omicron, i cili po përhapet me shpejtësi të jashtëzakonshme në shumë vende të botës. Sir Jeremy ka theksuar se ardhja e variantit të ri në Kosovë, e shoqëruar me një rritje të shpejtë të infektimeve, është e pashmangshme, si në Kosovë, ashtu edhe në të gjithë botën. Mirëpo, ai njëkohësisht e ka përgëzuar Kosovën për suksesin e saj në mbajtjen nën kontroll të gjendjes epidemiologjike dhe ka vlerësuar se kjo gjendje aktuale do të favorizojë Kosovën në ballafaqimin me valën e variantin Omicron, sidomos në krahasim me vendet tjera, të cilat po ballafaqohen njëkohësisht me valën e këtij variant dhe të atij paraprak.

Mes këshillave të tjera, Sir Jeremy ka potencuar se mënyra më efikase se si Kosova mund të përgatitet tani për valën e ardhshme është vazhdimi i fushatës së vaksinimit, që përfshin vazhdimin e vaksinimit të sa më shumë qytetarëve, sidomos atyre mbi 18 vjeç, me dy dozat e para të vaksinës dhe shkurtimin e periudhës së pritjes për dozën përforcuese prej 6 deri në 3 muaj pas marrjes së dozës së dytë.

Në fund të takimit, Sir Jeremy shprehu gatishmërinë për të ofruar ekspertizën e tij dhe për t’i mbajtur vazhdimisht të informuar kryeministrin dhe ministrin e Shëndetësisë për zhvillimet më të fundit shkencore rreth variantit të ri Omicron dhe çështjeve të tjera lidhur me pandeminë.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme