Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, krahas pjesëmarrjes në diskutim në panel, ka zhvilluar një sërë takimesh me liderë të rajonit, dhe përfaqësues të lartë nga Evropa dhe ShBA-të gjatë forumit të Prespës.
Kryeministri Kurti dha një propozim se si rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të avancojë drejt Bashkimit Evropian, përmes një marrëveshje dhe marrëdhënie të re, të tillë çfarë e kanë Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.
Ballafaqimi me të kaluarën është i rëndësishëm për paqen dhe pajtimin në Ballkan, deklaroi ai në një konferencë për media.
Gjatë ditës, së bashku me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, Kryeministri Kurti u takua me Ndihmëssekretarin e shtetit të ShBA-së për Evropë dhe Euroazi, Philip Reeker dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
Kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla janë takuar edhe me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak me të cilin kanë diskutuar për takimin e 15 qershorit në Bruksel dhe nisjen e procesit të ri të dialogut.
Po ashtu, kryeministri Kurti pati takim të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti si dhe nënkryetare e BDI-së, Teuta Arifi.
Takime të ndara, pati edhe me eurodeputeten sllovene, Tanja Fajon, ish-eurodeputetin gjerman nga Partia Socialdemokrate, Knut Feckeinstein si dhe profesorin e Universitetit “John Hopkins”, Eduard Joseph.