Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi për ngushëllime sot familjen Gjonbalaj në Prishtinë.
I shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, ai u shprehu familjarëve dhe miqve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurit të tyre, Avdi Gjonbalaj.
Avdi Gjonbalaj, inxhinier i hidroteknikës me profesion, kishte njohuri të thella për lëminë e ujërave në Kosovë e Ballkan, që përveç kontributit të pareshtur e të parezervë sa ishte në jetë, ka lënë pas një trashëgimi të çmuar të qëndrimeve, analizave, studimeve e kërkimeve arkivore. Ai mbikëqyri punimet dhe ndoqi të gjitha fazat e ndërtimit të sistemit të ujitjes ”Ibër-Lepenc’ ku gjendet dhe diga e liqenit akumulues të Ujmanit.