Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i ka shprehur ngushëllime Familjes Dvorani nga Fshati Terstenik i Drenasit, e cila humbi dy djemtë e saj Muhametin 8 vjeç dhe Mendimin 5 vjeç, në një aksident trafiku në Novi Sad, derisa ishin duke ardhur për vizitë në Kosovë nga Austria.
Në telegramin e kryeministrit Mustafa thuhet:
E nderuar Familje Dvorani,
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tuaj të pakompensueshme.
Aksidenti i rëndë tragjik ku humbën jetën Muhameti dhe Mendimi, na ka prekur thellë.
Qytetarët dhe Qeveria e Republikës së Kosovës bashkëndjejnë me Ju dhimbjen e madhe në këto momente të vështira.
Muhametit dhe Mendimit i qoftë i lehtë dheu i Kosovës!