Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy po planifikon të shmangë pjesëmarrjen në një samit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në mesin e muajit maj.
Ai nuk dëshiron që të dalë në fotografi me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi që do ta përfaqësojë Kosovën në këtë samit, raporton El Pais, transmeton KTV.
Sipas gazetës më të madhe spanjolle, Rajoy ka frikë se një fotografi e mundshme me Thaçin do të përdoret nga liderët separatistë të Katalunisë për kauzën e tyre për pavarësinë.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk do të qëndrojë të premten në Madrid dhe do të provojë ta bindë Rajoyin se është e rëndësishme që të gjithë liderët e BE-së të jenë aty, për ta mbështetur anëtarësimin e Ballkanit në bllok.
Liderët e Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë e Qipros, që gjithashtu nuk e njohin pavarësinë e Kosovës do të jenë të pranishëm në samit.
Sipas burimeve diplomatike të El Pais, BE-ja po shqyrton mënyra që t’ia mundësojë pjesëmarrjen Spanjës, duke parë mundësinë që flamuri i Kosovës të mos figurojë afër flamujve të shteteve të tjera të Ballkanit.
Madridi vazhdon të mbajë qëndrim të fortë kundër pavarësisë së Kosovës.