Kryeministri Haradinaj vazhdon të alarmojë për rrezikun që i kanoset kufijve të Kosovës së 17 Shkurtit të vitit 2008, gati në secilën paraqitje publike.
Këtë e ka përsëritur edhe të dielën në ceremoninë e 20-vjetorit të rënies së dëshmorëve në fshatin Korishë të Prizrenit, shkruan sot Koha Ditore.
Të dielën po ashtu janë mbushur 15 vjet nga trazirat e marsit, pas të cilave pati mobilizim të faktorit ndërkombëtar për t’i dhënë zgjidhje statusit final të Kosovës.
Për dy ditë sa zgjatën trazirat, ishin vrarë 19 qytetarë, prej tyre 11 shqiptarë dhe 8 serbë. Pas këtij zhvillimi, ish-sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, kishte mandatuar Kai Eiden, për hartimin e një raporti. Në vitin 2005, ai propozoi fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas tre vjetësh negociata, Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008.
Akti u kundërshtua nga Serbia, e cila nuk i ndali asnjëherë përpjekjet për ta kontestuar shtetësinë e Kosovës.