Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnbabiç, ka thënë se Haradinaj deri tani nuk ka dhënë ndonjë shenj që mund të besohet se do ta largojë vendimin për taksën, teksa ka folur për mundësinë që çështja e pezullimit të taksës të vendoset në rend të ditës në mbledhjen e Qeverisë.
“Unë shpresoj që çështja e taksës të zgjidhet së shpejti, por Haradinaj deri tani nuk ka bërë ndonjë veprim që një gjë e tillë të mund të besohet. Unë sinqerisht shpresoj që tarifa të hiqet, jo vetëm për ekonominë, por edhe për vazhdimin e dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë ajo para gazetarëve, shkruan b92, transmeton Gazeta Express.
Ajo ka falënderuar të gjitha shtetet, përfshirë këtu edhe SHBA-në, për mbështetjen që i kanë dhënë Serbisë në çështjen e taksës.
“Kjo taksë është çdo ditë një goditje e re për ekonominë e Serbisë dhe stabilitetin rajonal”, ka thënë ndër të tjera ajo.