Kryenegociatorët do ta diskutojnë në Bruksel zbatimin e marrëveshjes së Ohrit

Prishtinë | 29 Mar 2023 | 13:13 | Nga Ekonomia Online

Hera e fundit kur përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan për dialog ishte në Ohër më 18 mars.

Pas takimeve që zgjatën rreth 12 orë, ishte Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ai i cili në një konferencë për media para gazetarëve njoftoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë lidhur një marrëveshje.

Në Ohër, palët u pajtuan që ta implementojnë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në fillim të muajit Prill do të zhvillohet edhe një takim tjetër ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, vetëm se kësaj radhe ne nivel të kryenegociatorëve.

Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke shtuar se palët vijnë në Bruksel për të vazhduar tutje me hapat për implementimin e asaj që kanë rënë dakord.

”Ajo që mund të them në këtë moment është se një takim i kryenegociatorëve do të zhvillohet javën që vjen në Bruksel. Kryenegociatorët nga të dyja palët janë ftuar nga lehtësuesi i dialogut që të vijnë në Bruksel dhe të avancojnë përpara me hapat e parë për implementimin e gjithë asaj që kanë rënë dakord”

Në këtë takim Kosovën do ta përfaqësojë zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa Serbinë, udhëheqësi i Zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviq.

Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka treguar pēr klankosova se ende nuk ka ndonjë agjendë të caktuar në lidhje me takimin, por se me siguri do të diskutohet për aneksin e implementimit të marrëveshjes bazë.

“Akoma nuk është zyrtare agjenda e diskutimeve, edhe pse pritshmëritë normalisht janë që do diskutohet mbi aneksin e implementimit të marrëveshjes bazë”, ka thënë Kadiu.

Tutje, ai ka theksuar se “takimet pritet të mbahen gjatë pjesës së parë të javës së ardhme”.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë gjatë një interviste të martën se marrëveshja e Ohrit është një njohje ‘de-facto’ e Kosovës nga Serbia dhe se kësaj të fundit duhet t’i bëhet presion që ta zbatojë marrëveshjen në fjalë.

Të ngjashme