Ndonëse ishte paraparë që gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit parlamentar për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete të diskutohej rreth festës që kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, ka propozuar që t’i bëhet kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxhaj dhe ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, për të raportuar në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Mirëpo, edhe po të miratoheshin këto pika të propozuara nga kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, rreth raportimit të kryeprokurorit Hoxhaj në këtë komision, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.
“Zëri”, ka kontaktuar me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, në lidhje më ndonjë ftesë të mundshme për të raportuar në lidhje me rastin Dehari para anëtarëve të këtij komisioni. Por, sipas kryeprokurorit Hoxha, prokuroria është organ i pavarur dhe nuk i raportojnë Kuvendit.
“Nuk i lejohet. Kurrë nuk kam dëgjuar për diçka të tillë. Mirëpo, nëse kemi diçka në lidhje me këtë çështje e shikojmë, por, na nuk japim raport para Kuvendit. Na jemi të pavarur”, ka deklaruar Hoxha.
Hoxha ka thënë se, në rast se do t’i shkojë ndonjë ftesë për raportim në Kuvend, ai do të veprojnë sipas ligjit.
“E shikoj ligjin unë dhe më pas veproj në bazë të ligjit”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq i pyetur në lidhje më atë se një ftesë e mundshme nga ana e këtij komisioni, a do të paraqiste ndërhyrje në organet e drejtësisë, kryeprokurori Hoxha ka thënë se kjo paraqet një ndërhyrje në gjyqësor dhe se ata nuk kanë nevojë të raportojnë para Kuvendit.
“Sigurisht se kjo është ndërhyrje. Çka kemi na me raportu. Na e kemi dhënë versionin tonë si prokurori dhe si organ i pavarur. Na nuk kemi nevojë me i raportua Kuvendit. Ne kemi raportuar para mediave, nuk di çka çfarë raportimi tjetër duhet më ba”, ka deklaruar Hoxha.