Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Reshat Millaku, ka akuzuar mediet, që sipas tij, po nxisin gjoja se Kosova është një ndër vendet më të korruptuara.
Ai theksoi se luftimi i korrupsionit është edhe njëri ndër kushtet për përfitimin e liberalizmit të vizave.
“Kam identifikuar diku 33 raste 15 prej të cilave janë nga Prokuroria Speciale. Prej tyre, 23 raste janë ngritur aktakuza, për krim të organizuara kundër 35 personave, 220 persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha Millaku.
Ai i bëri komentet në tryezën “Mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit dhe politikave në luftimin e korrupsionit”, në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit”, të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me organizata të tjera joqeveritare.
“Të gjitha këto raste kanë të bëjnë me kryetar komunash, ministra ish-ministra, deputetë, kryesisht me njerëz të cilët kanë qenë në pozita institucionale. Media, portalet e disa gazeta dhe televizione kanë thënë dhe kanë paraqitur Kosovën si një ndër vendet më të korruptuara, por kjo nuk qëndron pasi që në prokurori nuk ka asnjë rast të korrupsioni që nuk është pranuar dhe identifikuar”, ka thënë Millaku.
“Korrupsioni po vret punën e secilit institucion”
Korrupsioni është shndërruar në një dukuri i cili po vret punën e secili institucion në Kosovë, u tha në tryezën “Mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit dhe politikave në luftimin e korrupsionit”, e cila mbahet në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit”, me përkrahjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë.
Zëvendësambasadorja amerikane, Collen Hyland, ka thënë se Ambasada e ShBA-së po mundohet të përmirësojë performancën e Kosovës kundrejt korrupsionit në sektorin e drejtësisë.
“Ambasada amerikane përkrah përpjekjet të cilat po bëhen për përmirësim të performancës e Kosovës në sektorin e drejtësisë. Për fat të keq anketat të cilat janë bërë nga organizata të ndryshme tregojnë që qytetarët e Kosovës nuk i besojnë punës së gjyqësori”, ka thënë ajo.
Kryesuesi i Këshillit të Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se të gjitha lëndët të cilat kanë motive korruptive do të shqyrtohen nga gjyqësori në mënyrë që të zvogëlohet numri rasteve dhe të zbatohet ligji.
“Puna e parë e gjyqësorit është besimi në publik. Korrupsioni është dukuri e cila po vret punën e secilit institucion në Kosovë. Impakti shkatërrues për sundimin e ligjit është krimi i organizuar edhe korrupsioni, këto dyja janë edhe impakti kryesor për punën e gjyqësorit. E kemi jetike luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin”, tha Idrizi.
Miftaraj: Për tre muaj Buxheti u dëmtua me mbi 2 milionë €
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë edhe prezantimin e raportit të monitorimit të rasteve të korrupsionit në sistemin prokuroria dhe gjyqësor, i cili iu referohet periudhës tre mujore korrik, gusht, shtator 2016.
Ehat Miftaraj, hulumtues në Institutin i Kosovës për Drejtësi bëri prezantimin e këtij hulumtimi duke thënë që për këta tre muaj monitorim ka pasur më pak raste të personave që janë prekur në korrupsion, ai gjithashtu ka tërhequr vëmendje duke thënë se gjykatësit janë përgjegjës për 45 seanca gjyqësore të cilat nuk janë mbajtur.
Ai ka theksuar se vetëm në muajt korrik, gusht, shtator buxheti i vendit është dëmtuar me mbi 2 milionë euro.
IKD kanë monitoruar 260 seanca gjyqësore.