Kryeprokurori i Turqisë ofron mbështetje për Policinë

Prishtinë | 04 Tet 2017 | 14:44 | Nga

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, së bashku me Kryeprokurorin e Shtetit  Aleksandër Lumezi, kanë pritur në takim zyrtar Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Turqisë  Mehmet Akarca, i cili ishte i shoqëruar nga ambasadorja e Republikës së Turqisë në RKS Kivicilim Kiliç.

Në takimin i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, Shpend Maxhuni fillimisht i dëshiroi mirëseardhje Akarca dhe njëkohësisht e falënderoi atë për vizitën e tij në Policinë e Kosovës.

Gjatë takimit, nga Drejtori Maxhuni të pranishmit u njoftuan mbi angazhimet, aktivitetet dhe rezultatet e arritura përmes realizimit të objektivave strategjike të Policisë së Kosovës, që dalin nga plani zhvillimor strategjik i Policisë.

Drejtori Maxhuni po ashtu i njoftoi të pranishmit se Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar si dhe të bashkëpunojë ngushtë me organizatat policore me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Ndërsa Prokurori i Turqisë Akarca falënderoi Maxhuni për pritjen e ngrohtë dhe njëkohësisht vlerësoi lart punën e Policisë së Kosovës në përgjithësi, e në veçanti në bashkëpunimin e deritanishëm të treguar me autoritetet turke.

Delegacioni i Turqisë konfirmoi mbështetjen dhe përkrahjen e pakursyer për Policinë e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj, me qëllim të ngritjes profesionale dhe avancimit të mëtejme në fusha të ndryshme.

Gjatë takimit të dy palët u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në të ardhmen, bashkëpunim ky i cili është në interes të përbashkët.

Të ngjashme