Kryeqyteti i Indisë, New Delhi, e ka regjistruar ditën më të ftohtë në më shumë se 100 vjet në kohën kur pjesa veriore e vendit është përfshirë nga një valë e pazakonshme e temperaturave të ulëta.
Që nga fillimi i matjes së temperaturave në vitin 1901, dita e hënë ishte më e ftohta në kryeqytetin indian. Rekordi i mëparshëm ishte shënuar më 2 janar të vitit 2012, kur në këtë qytet temperatura kishte rënë në 9.8 gradë.
Rreth 200 strehimore në New Delhi janë mbushur me njerëz të pastrehë për shkak se temperatura minimale në ditët e fundit ka lëvizur nga 1 deri në 3 gradë.
Ndryshe nga qytetet evropiane dhe amerikane, ku shumica e ndërtesave janë të pajisura me ngrohje qendrore ose ngrohëse të tjera në secilën dhomë, shtëpitë në Indi nuk janë të ndërtuara për temperatura të ulëta, shkruan “BBC”, transmeton Express.
Kështu, miliona indianë të varfër nuk kanë mundësi të blejnë ngrohëse dhe përdorin mënyra të tjera më primitive, përfshirë shishet me ujë të ngrohtë dhe batanijet e trasha.