Disa lagje në Komunën e Prishtinës kohët e fundit po përballën më mungesë të ngrohjes nga Termokos. Lagja “Ulpiana” që tri ditë nuk ka ngrohje derisa edhe në “Aktash” si dhe në Qendër që nga dita e djeshme mungon ngrohja.
Termokos doli dje me një njoftim duke thënë se për shkak të një gypi të dëmtuar, këto lagje kanë mbetur pa ngrohje. “NP “Termokos” Sh.A, njofton konsumatorët e lagjes “Ulpiana”, se sot në orët e pasdites është identifikuar një rrjedhje në gypin e ngrohjes në afërsi të shkollës “Hasan Prishtina”.
Si pasojë e kësaj rrjedhjeje jemi detyruar, që të ndërpresim furnizimin me ngrohje për gjithë lagjen “Ulpiana””, ekipet tona janë në terren në përpjekje për të sanuar dëmtimin e gypit të ngrohjes”, është thënë në komunikatë.
Sipas zëdhënëses Afërdita Uka-Fejzullahu, ndërprerje të furnizimit me ngrohje ka pasur vetëm në “Ulpianë”.
“Në fakt, gjatë pasdites së djeshme ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ngrohje ka pasur vetëm për konsumatorët e lagjes “Ulpiana”, për shkak të një rrjedhje në gypin magjistral në afërsi të shkollës “Hasan Prishtina”, ka thënë Uka-Fejzullahu.
Ndërkaq, lagjet tjera janë furnizuar me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore gjatë gjithë kohës. Ndonëse ekipet tona kanë arritur ta identifikojnë menjëherë vendndodhjen e shpërthimit të gypit dhe kanë filluar të punojnë për evitimin e këtij problemi, gypi ka qenë shumë i dëmtuar si pasojë e lagështisë nga rrjeti i ujërave të zeza dhe është dashur të intervenohet në disa vende për të sanuar rrjedhjet.
“Ekipet tona kanë punuar deri në orët e vona të natës, kur është ndërlikuar ndërhyrja dhe është rrezikuar siguria e punëtorëve tanë. Për këtë arsye punimet janë pezulluar deri në orët e hershme të mëngjesit, prej kur ka vazhduar sanimi i këtij gypi dhe zëvendësimi i tij me gyp të ri. Tashmë janë në përfundim punimet për të evituar këtë problem dhe shumë shpejtë pritet rikthimi i furnizimit me ngrohje për lagjen “Ulpiana”, tha Afërdita Uka-Fejzullahu.