Autoritetet komunale kanë paralajmëruar se prej vitit të ardhshëm Prishtina do t’i ketë tre muze. Kuvendi Komunal i Prishtinës ka themeluar Muzeun e Prishtinës. Vendimi është marrë të premten, në mbledhjen e Asamblesë Komunale. Ky hap i ka hapur rrugë themelimit të tri degëve të këtij Muzeu. Në kuadër të tij do të hapen muzeu “Ibrahim Kodra”, Muzeu i Shtëpive-Shkolla dhe Muzeu Përkujtimor, shkruan sot Koha Ditore.
Muzeu i Prishtinës do ta ketë selinë në ish-objektin i bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, aty ku do të jetë edhe muzeu “Ibrahim Kodra”. Si i tillë do të menaxhojë tre muzetë që janë degë të tij, dhe ligjërisht janë nën ombrellën e tij. Por Muzeu i Prishtinës nuk do të jetë një muze më vete ku vizitorët mund të shohin artefakte, por vetëm entitet juridik që menaxhon me muzetë apo degët e veta.
Themelimi i Muzeut të Prishtinës ka qenë hap juridik për themelimin e tre muzeve të tjerë që pritet të hapen mot. Qysh në mbledhjen e 25 qershorit të këtij viti ishte thënë se do të shqyrtohej edhe çështja e statutit. Ajo ishte është shtyrë për një afat të pacaktuar. “Problemet politike”, kishte qenë arsyetimi i zyrtarëve komunalë.