Kryeshefi i “Trepçës” humb edhe një betejë ligjore, urdhërohet ta kthejë në punë Gëzim Mustafën

Prishtinë | 10 Sht 2026 | 18:03 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari i gjigantit metalurgjik “Trepça”, Gëzim Mustafa ka fituar një tjetër betejë ligjore përballë udhëheqjes së kësaj ndërmarrjeje.

Beteja gjyqësore ka nisur kur Mustafa ishte transferuar nga pozita e drejtorit të Flotacionit në Trepçë, në njësinë biznesore në minierën e Kishnicës.

Pasi që Mustafa e kishte kundërshtuar vendimin për transferim të marrë nga kryeshefi i ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, të njëjtit i ishte shkëputur kontrata e punës.

E krejt këto vendime, tashmë kanë marrë epilog gjyqësor nga dy shkallë të gjykatave vendore.

Ditë më parë, Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka anuluar vendimin e kryeshefit të kësaj ndërmarrje, Faton Ahmeti për transferimin e Mustafës nga pozita e drejtorit të Flotacionit dhe ka urdhëruar kthimin e tij në pozitën e mëparshme.

Për këtë vendim të gjykatës së shkallës së parë, Ahmeti ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, por edhe në këtë instancë, ai e ka humbur betejën ligjore me Mustafën.

Në aktgjykimin e saj të marrë më 7 korrik të këtij viti, Apeli e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Ahmetit, derisa e ka vërtetuar aktgjykimin e Themelores në Mitrovicë.

“APROVOHET në tërësi si e bazuar kërkesepadia e paditesit Gezim Mustafa nga Mitrovica, ANULOHEN si te kundërligjshme vendimet e nxjerra nga e paditura dhe atë: Vendimi me nr.5792 i datës 25.09.2024 i nxjerr nga U.Di Krye shefit Ekzekutiv të Trepça SH.A me të cilin vendim paditësi si Drejtor i Flotacionit në Njesinë Biznisore Minierat dhe Flotacion Trepça- Stanterg, eshtë liruar nga pozita dhe eshte transferuar në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Kishnicë dhe Artane si Inzhinier i repartit i njësisë së përpunimit të xehës dhe Vendimi me nr.5792 i datës 25.09.2024 i nxjerr nga Komisioni i ankesave me te cilin vendim paditësit i eshtë refuzuar ankesa e datës 16.10.2024”, thuhet në aktgjykim.

Gjithashtu, përmes aktgjykimit, ndërmarrja “Trepça” është detyruar që paditësin ta rikthejë në punë si drejtor i Flotacionit në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stantërg, në një afat prej shtatë ditësh.

Derisa, gjykata e ka urdhëruar “Trepçën” që Mustafës t’ia kompensojë dëmin financiar prej 548.98 euro, si dhe t’i paguajë 544 euro shpenzime të procedurës gjyqësore.

Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Minatorëve në “Trepçë”, Ibrahim Jonuzi ka treguar për Klankosova.tv rastin e Mustafës, derisa ka shtuar se kthimi i tij në punë është i rëndësishëm.

“Gëzim Mustafa është i larguar nga vendi i punës, fillimisht i është bërë transferi në Minierën e Kishnicës, i cili e ka kundërshtuar vendimin në Gjykatën Themelore dega Mitrovicë. Gjykata e ka gjykuar se transferi ka qenë i padrejtë (transferi nga lokacioni i Minierës së Trepçës-Stantërg në Kishnicë) dhe i jashtëligjshëm, ndërsa Gëzim Mustafa nuk është rikthyer në vendin e punës, pasi menaxhmenti ia ka shkëputur kontratën e punës. E përshëndesim vendimin e gjykatës sepse mendojmë që vendimi për të ishte i padrejtë dhe shpresojmë që vendime të tilla të kemi çdoherë. Është më e rëndësishme që ai të kthehet në punë”, ka thënë Jonuzi për klankosova.

Të ngjashme