Kryesia e Kuvendit e ka shtyrë mbledhjen për të shqyrtuar kërkesën e 43 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrat e Prokurorit.
Në mbledhjen e Kryesisë nuk morën pjesë përfaqësuesit e dy partive opozitare LDK e Vetëvendosje, sikurse dhe Lista Serbe, e cila është pjesë e koalicionit.
Kjo ka shkaktuar mungesë kuorumi.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nuk është prononcuar për gazetarë që po prisnin në holl.
Ndryshe nga mbledhjet e kaluara, mediet nuk janë lejuar të marrin as pamje nga mbledhja e Kryesisë.
LDK thotë se nuk do të jetë pjesë e “veprimeve të pamatura”
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka cilësuar si tejet të rrezikshme nismën për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës.
“Lidhja Demokratike vlerëson që vendi ynë nuk ndodhet në asnjë situatë të re e të paparashikuar. LDK-ja vlerëson që çështjet duhet të trajtohen me maturi. E sheh jetike ruajtjen e raporteve me miqtë tanë”, tha Kujtim Shala, i cili lexoi një deklaratë në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së.
“LDK-ja fton subjektet politike që të reflektojnë në interesat e qytetarëve. LDK nuk do të jetë pjesë e veprimeve të pamatura”, theksoi Shala, raporton Ekonomia Online.
LDK-ja nuk ka marrë pjesë fare në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.
Deda: Po harrojmë që ekziston edhe Rezoluta 1244
Deputeti Iir Deda ka thënë se liderët e koalicionit qeverisës kanë vendosur ta izolojnë dhe defunksionalizojë shtetin e Kosovës.
“Sonte ndodhi një moment dramatik. Deklarimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë nuk janë vetëm deklarime diplomatike, por mesazhe që ua kanë dhënë udhëheqësve tanë. Ne do të izolohemi nga bashkësia ndërkombëtare. E shfuqizuan këta, apo jo, Gjykatën Speciale, ne po harrojmë që ekziston edhe Rezoluta 1244”.
Deda i bëri komentet para gazetarëve, derisa po vazhdon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e cila është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e 43 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrat e Prokurorit.
“Kjo nuk është vetëm një ligj i zakonshëm, nuk është një seancë e jashtëzakonshme. Ne nuk mund të lejojmë që të fundosim të ardhmen tonë”, theksoi deputeti i Alternativës.