Kryesia e LDK-së ka bërë homazhe te varri i ish-nënkryetares së LDK-së, Nekibe Kelmendi, në 7-vjetorin e vdekjes së saj.
Nekibe Kelmendi lindi më 11 maj 1944 në Pejë, kurse vdiq më 19 qershor 2011, në moshën 67-vjeçare, në Prishtinë.
Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, tha se sot po bëjnë homazhe te varri i Nekibe Kelmendit në nderim të veprës së saj pas shumë sakrificash që ka pasur në jetë dhe përkundër tragjedisë që ka pasur në humbje të burrit dhe dy djemve të saj në kohën e luftës, raporton Ekonomia Online.
“Gjithmonë e kemi në mendje shembullin e një gruaje tipike shqiptare dhe institucionaliste e mrekullueshme që pa dyshim i mungon edhe jetës institucionale dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kjo është në vazhdën e asaj të LDK-së që mundohet sadopak me ua kthy në një mënyrë atë që është e vështirë me ua kthy gjithë atyre veprimtarëve të shumtë në periudha të ndryshme e në mesin e tyre edhe zonja Nekibe Kelmendi zë një vend meritor”, tha Beqiri.
Anëtari i LDK-së, Sabri Hamiti, tha se Nekibe Kelmendi ka qenë bashkëpunëtorja e tij më e afërt dhe se e çmon kurajon dhe veprimtarinë e saj që ka pasur, raporton EO.
“Sa herë të permendet Nekibe Kelmendi ne kemi shembullin e vërtetë të një zonje të dijes dhe të qëndresës. Ajo në sytë e vet ka numëruar dhe ka pasë kurajo të numërojë plagët vdekjeprurëse të burrit dhe djemve dhe përtej tyre të vazhdojë punën e vet për Kosovën dhe natyrisht në kuadër të LDK-së”, tha Hamiti.
“Kelmendi është shembull i përkushtimit nacional dhe qytetar i Kosovës”, shtoi Hamiti.