Me ftesë të kryetarit të dorëhequr, Isa Mustafa, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës është duke mbajtur takim me kryetarët e degëve për të diskutuar për datën e zgjedhjes së kryetarit të ri, raporton Ekonomia Online.
Ditë më parë Kryesia e kësaj partie ka propozuar 14 marsin si datë për mbajtjen e Kuvendi zgjedhor, ndërsa ishte thënë se kjo datë do të diskutohet edhe më kryetarët e degëve.
Anëtari i Kryesisë, Besian Mustafa ka thënë se janë mbledhur për të diskutuar “vetëm detajet teknike për 14 mars”, kur do të mblidhet Kuvendi Zgjedhor i LDK-së për ta zgjedhur kryetarin e ri.
Avdullah Hoti, Besian Mustafa e Ismet Beqiri , Anton Quni e Gazmned Muhaxheri janë disa nga zyrtarët e kësaj partie që kanë arritur në seli.
Deri më tani Anton Quni është i vetmi që ka zyrtarizuar kandidaturën për kryetar të LDK-së.
Isa Mustafa kishte dhënë dorëheqje nga udhëheqja e LDK-së, pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit.