Kryesia e LDK-së pritet të marrë vendim për protestat e mundshme kundër Thaçit

Prishtinë | 31 Gus 2018 | 07:59 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Partia Socialdemokrate (PSD) ditë më parë nuk kanë përjashtuar protestat si një ndër format për të ndalur presidentin Hashim Thaçi që të negociojë me Serbinë lidhur me kufijtë dhe territorin e Kosovës.

Lidhur me këtë çështje partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) deri më tani nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar ndërsa për hapat e mëtutjeshëm do të vendosin në mbledhjen e kryesisë e cila do të mbahet këtë javë.

Anëtari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se kryesia do të jetë ajo që do të vendos për qëndrimet e LDK-së në raport me zhvillimet e fundit në vend.

“Po besoj që qëndrimi i Lidhjes Demokratike ka qenë i qartë, kryesia ka marrë një qëndrim të cilin e ka deklaruar botërisht pritet mbledhja e radhës gjatë javës dhe besoj që do të dalim edhe me qëndrim të ri karshi këtyre ndodhive që po ndodhin veçanërisht javën e fundit”, deklaroi Muhaxheri.

Muhaxheri përsëriti edhe një herë qëndrimin e deritanishëm të LDK-së se presidenti nuk ka mandat për të biseduar në Serbi për kufijtë si dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

“Qëndrimi ka qenë që nuk kanë mandat për me biseduar këto organe, duhet me pas zgjedhje të reja e mandej organet që dalin prej këtyre zgjedhjeve të reja me pas legjitimitetin për me biseduar në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.

LDK-ja së bashku me LVV-në dhe PSD-në kanë dërguar në Kuvend kërkesën për seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të miratohej rezoluta e cila do të kërkonte nga Presidentin Hashim Thaçi që në dialogun me Serbinë të mos bisedohet për kufijtë dhe territorin e Kosovës.

Lidhur me këtë seancë, EO mëson se të hënë do të mblidhet kryesia e Kuvendit derisa pritet të merret vendimi që kjo seancë të mbahet të martën më 4 shtator.

Të ngjashme