Kryesuesi i Bordit të Postës që e emëroi Kurti kishte dhuruar 1 mijë euro donacion për Vetëvendosjen

Prishtinë | 20 Pri 2020 | 16:33 | Nga Ekonomia Online

Në mbledhjen e 2 prillit, Qeveria e Kosovës emëroi bordin e përkohshëm të Postës së Kosovës.

Kryesuesi i bordit, Mentor Arifaj, i kishte dhënë një donacion prej 1 mijë euro partisë së Albin Kurtit në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit 2019 ku LVV doli e para.

Disa muaj më vonë, Qeveria e Kurti ka emëruar donatorin e saj si kryesues në bordin e përkohshëm të Postës së Kosovës.

Donacionin për partinë e Albin Kurtit e ka konfirmuar vetë Arifaj, ndërsa ka thënë se këtë e kishte bërë krejtësisht në mënyrë vullnetare.

“Po, unë i kam dhuru në mënyrë vullnetare, pa ndonjëfarë marrëveshje, domethënë shumë në mënyrë vullnetare dhe konform ligjeve, qoftë në Kosovë, qoftë prej vendit ku kam qenë duke jetuar. I kam dhuru 1 mijë euro për Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë kryesuesi i bordit të përkohshëm të Postës, Mentor Arifaj, për kallxo.com.

Ai e ka mohuar të ketë ndikuar ky donacion që sot të marrë një pozitë në bordin e Postës së Kosovës.

“Jo, unë nuk e kisha lidhë. Aty në listë është një vërejtje sepse aty po shkruan si anëtar si diçka, por absulutikisht unë s’jam anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo është e vetmja, që unë i kam dhënë donacion apo çfarëdo qoftë diçka një partie politike”, tha ai.

Më 2 prill, ekzekutivi në detyrë emëroi bordin e përkohshëm të Postës së Kosovës.

Mentor Arifaj nuk e ka mohuar se e ka njohur personalisht kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ndërsa tha se njeh edhe anëtarë të partive tjera, por jo nuk ka ndikuar që ai të jetë në krye të bordit të përkohshëm në Postën e Kosovës.

Sipas Arifajt, ai fillimisht kishte shkuar te ministrja, Rozeta Hajdari. për t’ia uruar detyrën e re, e pastaj kishin folur për angazhimin e tij.

“Nuk më ka kontaktu askush prej partisë që unë të bëhem kryesues e as anëtar bordi. Unë kam ardh në janar të këtij viti në Kosovë për arsye të mia familjare edhe kam shprehë interesim që të kyçem diku, që të kontribuoj. Unë jam shku vetë personalisht në MEPTINIS dhe kam folë me ministren, ia kam uru detyrën dhe i kam thënë që, sa jam në këtë kohë në Kosovë, nëse keni nevojë diçka, unë jam në gjendje të bashkëpunoj, qoftë si profesionist qoftë si konsultant i jashtëm. Në bazë të profesionalizmit tim, jemi ardh në përfundim që unë të jem në bordin te Posta”, deklaroi ai.

Arifaj tha se në të kaluarën ka dhënë para edhe për mbrojtjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërsa ka përmendur edhe dy prej komandantëve të UÇK-së të cilët janë mbrojtur nga drejtësia ndërkombëtare.

Në fund, Arifaj e ka mohuar se është pjesë e anëtarësisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pasi jemi të kontributi, që tash nuk po më kujtohet saktë shuma, kur është mbrojtë lufta e UÇK-së, nuk kam qejf me thanë a kam kontribu një euro a 100 euro, po vetëm po i përmendi dy emra: z. Ramush Haradinaj apo për z. Fatmir Limaj. Në atë momentin kohor, ma ka marrë mendja që është gjëja më e vogël e mundshme me kontribu”, tha ai.

“Unë personalisht nuk jam i Lëvizjes Vetëvendosje, as i asnjë partie tjetër politike”, deklaroi Mentor Arifaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme