Kryetari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës (BeH), Denis Beqiroviq, ka deklaruar sot në Sarajevë se pret që përfaqësuesit e Republikës Serbe në institucionet shtetërore të ndihmojnë Bosnjën dhe Hercegovinën për heqjen e vizave për Republikën e Kosovës, shkruan Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.
Kështu Beqiroviq ka komentuar vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në një fjalim të mbajtur më 14 tetor në Samitin e Procesit të Berlinit ka njoftuar se nga 1 janari 2025, qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës do të mund të hyjnë në Kosovë me letërnjoftim.
“Pas kësaj lëvizjeje shtetërore të zotit Kurti, pres që edhe brenda BeH-së, kur bëhet fjalë për përfaqësuesit në institucionet shtetërore që vijnë nga entiteti Republika Srpska, edhe ata të na ndihmojnë që të hedhim një hap adekuat dhe të zbatojmë plotësisht marrëveshjet që BeH nënshkroi në kuadër të procesit të Berlinit”, ka deklaruar Beqiroviq pas takimit me presidentin shqiptar Bajram Begaj, i cili po viziton Bosnjën dhe Hercegovinën.
Në janar të këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë fituar liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian, por ende nuk kanë lirinë të hyjnë pa vizë në Bosnje dhe Hercegovinë, për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve të entitetit Republika Serbe.
Në konferencën për shtyp pas vizitës së presidentit shqiptar Bajram Begaj, Beqiroviq e quajti kryeministrin Kurti një “mik të madh” dhe lëvizjen e tij “shtetërore” dhe “të pazakontë në rajon”.
“Unë mendoj se është e rëndësishme për të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe për të gjithë rajonin dhe se ne do të dërgojmë një mesazh tjetër të rëndësishëm me këtë,” tha Beqiroviq dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjes së nënshkruar nga Bosnja dhe Hercegovina si pjesë e procesit të Berlinit.
Marrëveshja, e cila do të heqë regjimin e vizave ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, dhe do t’u mundësojë qytetarëve të këtyre dy vendeve të udhëtojnë pa viza, ende nuk është ratifikuar nga Parlamenti i Bosnje-Hercegovinës. Ratifikimi i marrëveshjes është bllokuar Milorad Dodik.