Kryetari i Skenderajt dhe ai Drenasit, Bekim Jashari dhe Ramiz Lladrovci, kanë takuar ministrin e Diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majko.
Sipas një postimi në Facebook të Ramiz Lladrovcit, ata kanë diskutuar për bashkërendim të aktiviteteve “që do të forcojë më shumë lidhjen me diasporën, ruajtjen e traditës dhe gjuhës si dhe mundësitë që ofron atdheu për ta në çdo aspekt”.
Postimi i plotë:
“Sot, së bashku me Kryetarin dhe Nënkryetarin e Skënderajt, Bekim Jasharin dhe Nuredin Lushtakun, patëm kënaqësinë të takojmë Ministrin e Diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majkon.
Në takim, theksova se Drenasi dhe Skënderaji kanë diasporë të organizuar dhe jemi falënderues të përjetshëm ndaj kontributit të tyre.
Diaspora jonë është kontribuese e jashtëzakonshme e zhvillimeve pozitive në trojet etnike.
Ata që janë të lidhur ngushtë me atdheun, edhe e ndihmojnë atë. Kemi detyrim të mbesim në kontakt dhe të krijojmë ura sa më të fuqishme me diasporën.
Në takim, biseduam si t’i afrojmë edhe më shumë pjesëtarët e diasporës sepse ne kemi nevojë më shumë se kurrë për dijen, përvojën dhe kapitalin e saj.
U pajtuam me Ministrin për bashkërendim që do të forcojë më shumë lidhjen me diasporën, ruajtjen e traditës dhe gjuhës si dhe mundësitë që ofron atdheu për ta në çdo aspekt.
Faleminderit Pandi!”