“Kryetarët e gjykatave të punojnë për ta rritur besimin në gjyqësor”

Prishtinë | 21 Dhj 2016 | 08:07 | Nga

Nehat Idrizi, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka thënë se pret që kryetarët e rinj të Gjykatave Themelore do të arrijnë ta ngrisin nivelin e besimit të qytetarëve në gjyqësor.

Ai ka sqaruar se si u vendosën këta gjykatës në poste, si dhe ankesën e ish kryetarit të Themelores në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi.

“Meqë me 31 dhjetor u skadon mandati të gjithë kryetarëve të Gjykatave Themelore, ne kemi shpallur konkurs për plotësimin e këtyre vendeve të punës. Pas intervistimit, komisioni ka përpiluar listën dhe i ka dorëzuar KGJK-së në mënyrë që të procedohet me emërim. Në Prishtinë kryetar i gjykatës është emëruar Afërdita Bytyqi, në Prizren Ymer Hoxha, në Ferizaj Bashkim Hyseni, në Gjakovë Baton Dërguti, ndërsa në Pejë Kreshnik Radoniqi. Për momentin kemi ndërrim kryetarësh vetëm dy gjykata, në Prishtinë dhe në Pejë”.

“Cdo kandidant që është i pakënaqur ka të drejtë që të ankohet dhe t’i paraqesë faktet e tij. Këshilli Gjyqësor ka vendosur lidhur me kundërshtimin e tij, duke e refuzuar. Por ai ka të drejtë që edhe tash të nisë procedurë ankimore”.

Idrizi ka thënë se kryetarët e rinj të zgjedhur duhet të jenë të kujdesshëm si menaxherë, së pari, në mënyrë që gjykatat në Kosovë në jenë më efikase dhe të rritet besimi i qytetarëve në to.

“Shpresojmë që cdo kryetar i ri i gjykatës, në radhë të parë si menaxher, të angazhohet lidhur me rregullsinë dhe mbarëvajtjen e punës së gjyaktës, në disiplinimin e gjyqtarëve, në procedurë të rregullt të gjykimeve, në efikasitet të gjykatës dhe të jetë përgjegjës që punët në gjykatë të shkojnë mbarë dhe mirë, sepse edhe ne jemi të vetëdijshëm që besimi i publikut në gjyqësor nuk është në nivelin e duhur”. (KlanKosova)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme