Kosova shfrytëzohet si tranzit për grupet kriminale që trafikojnë njerëz

Prishtinë | 18 Tet 2018 | 11:34 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në konferencën e organizuar me rastin e Ditës së BE-së kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se edhe pse Kosova është vend i vogël dhe me popullsi jo aq të madhe, nuk mbetet imune ndaj këtij fenomeni.

Shqetësues, sipas Idrizit, është fakti që Kosova përdoret si korridor tranzit për grupet kriminale që merren me trafikim të qenieve njerëzore.

“Kosova nuk mbetet imune ndaj këtij fenomeni që sot ka marrë përmasa të mëdha. Republika e Kosovës nuk është vend i destinacionit të personave të trafikimit me qenie njerëzore. Shqetësues qëndron fakti që vendi ynë përdoret si korridor tranzit për grupet kriminale dhe trafikut me qenie njerëzore”.

Sipas Idrizit, gjatë vitit 2017 kanë qenë të akuzuar 259 persona për trafikim me qenie njerëzore, prej të cilëve 61 personave iu është përfunduar procedura, raporton Ekonomia Online.

“Ngritja e zërit rreth rëndësisë dhe sensibilizimit për rrezikshmërinë e këtij fenomeni, përpjekjet tona duhet të bëhen rreth ngritjes së vetëdijes ndaj këtij fenomeni, vitin e kaluar kanë qenë 259 persona të akuzuar, 61 personave iu është  përfunduar procedura, ndërsa në vitin 2018 janë 199 persona të akuzuar, 17 u është përfundu procedura dhe 80 lëndë janë në procedurë e sipër dhe këto duhet të trajtohen me prioritet”.

Rashit Çalaj, drejtor i Përgjithshëm i Policisë, tha se mungesa e punësimit, varfëria, moskujdesi prindëror, ndalimi shkollimit, korrupsioni, diskriminimi gjinor janë arsyet se pse ndodh trafikimi me qenie njerëzore.

“Forma më e zakonshme e trafikimit 79% është shfrytëzimi seksual që janë gra dhe vajza, ndërsa tjetra formë është puna e detyruar”, tha Çalaj.

“Policia e Kosovës ka treguar vigjilencë të lartë karshi kësaj dukurie duke marrë parapërgatitje për parandalimin. Policia e Kosovës ka marrë masa në identifikimin e viktimave të trafikimit dhe janë bërë një numër i madh i organizimit të operacioneve policore”, tha Çalaj.

Të ngjashme