Kryetarët e tri komunave të rajonit të Prishtinës kanë edhe shumë punë për të bërë për të realizuar projektet e premtuara gjatë fushatës zgjedhore.
Kur u ka mbetur edhe një vit qeverisje, ata duket se janë larg përmbushjes së atyre premtimeve, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas hulumtimit të institutit GAP, vetëm kreu i Obiliqit, Xhafer Gashi, ka arritur të realizonte 50 për qind të premtimeve të bëra gjatë fushatës së vitit 2013. Ndërsa kolegët e tij nga Podujeva e Fushë-Kosova janë nën këtë shifër.
Ndërsa në listë nuk ka hyrë as kryetari i tanishëm, Vladeta Kostiq, pasi, sipas hulumtuesit të GAP-it, Bekim Salihu, kreu i Graçanicës nuk kishte bërë premtime gjatë fushatës.
“Në Graçanicë ka pasur zgjedhje të jashtëzakonshme lokale për shkak të dorëheqjes se ish-kryetarit të kësaj komune, Branimir Stojanoviq. Kryetari aktual i kësaj komune, Vladeta Kostiq, nuk ka zhvilluar fushatë në terren gjatë kohës së fushatës për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe për rrjedhojë ka qenë e pamundur identifikimi i ndonjë premtimi të dhënë nga ana e tij. Kësisoj GAP-i ka pasivizuar mbulimin e ecurisë së realizimit të premtimeve në Graçanicë për shkak të këtyre zhvillimeve”, ka thënë Bekim Salihu.