Kryetarët e tri komunave ende larg përmbushjes së premtimeve

Prishtinë | 12 Kor 2016 | 11:54 | Nga

Kryetarët e tri komunave të rajonit të Prishtinës kanë edhe shumë punë për të bërë për të realizuar projektet e premtuara gjatë fushatës zgjedhore.

Kur u ka mbetur edhe një vit qeverisje, ata duket se janë larg përmbushjes së atyre premtimeve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas hulumtimit të institutit GAP, vetëm kreu i Obiliqit, Xhafer Gashi, ka arritur të realizonte 50 për qind të premtimeve të bëra gjatë fushatës së vitit 2013. Ndërsa kolegët e tij nga Podujeva e Fushë-Kosova janë nën këtë shifër.

 Ish-kreu i Graçanicës, Branimir Stojanoviq, është hequr nga lista e “letërnjoftimit të komunave” të GAP-it, pasi ai nuk ka përfunduar mandatin e tij si kryetar komune.

Ndërsa në listë nuk ka hyrë as kryetari i tanishëm, Vladeta Kostiq, pasi, sipas hulumtuesit të GAP-it, Bekim Salihu, kreu i Graçanicës nuk kishte bërë premtime gjatë fushatës.

“Në Graçanicë ka pasur zgjedhje të jashtëzakonshme lokale për shkak të dorëheqjes se ish-kryetarit të kësaj komune, Branimir Stojanoviq. Kryetari aktual i kësaj komune, Vladeta Kostiq, nuk ka zhvilluar fushatë në terren gjatë kohës së fushatës për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe për rrjedhojë ka qenë e pamundur identifikimi i ndonjë premtimi të dhënë nga ana e tij. Kësisoj GAP-i ka pasivizuar mbulimin e ecurisë së realizimit të premtimeve në Graçanicë për shkak të këtyre zhvillimeve”, ka thënë Bekim Salihu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme