Abdixhiku mirëpritet në Pallatin Presidencial Élysée, MPJ dhe Senatin francez

Prishtinë | 08 Mar 2023 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku është pritur në Pallatin Presidencial Elysee nga këshilltarja e presidentit të Francës, Emannuel Macron, Isabelle Dumont.

Abdixhiku atje ka ritheksuar qëndrimet e LDK-së mbi procesin e dialogut. Ai tha se implementimi i marrëveshjeve paraprake, komform rendit kushtetues nuk kanë alternativë.

“Sot, në Paris, u prita në Pallatin Presidencial Élysée nga Këshilltarja e Presidentit Macron, znj. Isabelle Dumont. Shpreha falënderimet për mbështetjen e shtetit francez në të gjitha periudhat shtetndërtuese të Republikës së Kosovës. Ritheksova qëndrimet e LDK-së mbi procesin e dialogut, si një proces të cilin vendi ynë duhet ta trajtojë me prioritet si mjet drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme, me njohjen në qendër të saj. Implementimi i marrëveshjeve paraprake, komform rendit kushtetues të Republikës së Kosovës nuk kanë alternativë”, ka shkruar ai.

Po ashtu, Abdixhiku thotë se ka shtruar rrugën drejt integrimit euroatlantik si dhe anëtarësimin sa më të shpejt në NATO.

“Shtrova po ashtu, domosdoshmërinë e hapjes së rrugës së re, drejt integrimit euroatlantik, me theks të veçantë, anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në NATO; dhe mbështetjen që Franca mund ta jep në këtë drejtim. Gjatë ditës, në takime të ndara u prita dhe në Ministri të Punëve të Jashtme dhe në Senatin francez. Aty takova zëvendësdrejtorin për Evropën Kontinentale, z. Sylvain Guiaugue, si dhe Senatoren Sénatrice Laure Darcos, kryetare e Grupit të Miqësisë Francë – Kosovë në Senat”, përfundoi ai.

Të ngjashme