Kryetari Faton Peci priti në takim Ambasadorin e Turqisë, fokus investimet në Mitrovicë

Prishtinë | 22 Jan 2026 | 20:09 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sh.T. Sabri Tunç Angılı, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në zhvillimin ekonomik dhe investimet.

Sipas postimit të Komunës, gjatë takimit u bisedua për krijimin e mundësive konkrete për investitorë potencialë turq në Mitrovicë.

“Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, me fokus në krijimin e mundësive për investitorë potencialë në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.

Kryetari Peci ka theksuar gatishmërinë e institucioneve komunale për të mbështetur investimet e huaja.

“Komuna e Mitrovicës është e angazhuar për të ofruar kushte të sigurta ligjore dhe infrastrukturore për investime të huaja, me qëllim zhvillimin ekonomik të qytetit”, ka theksuar ai.

Nga Komuna bëhet e ditur se takimi është vlerësuar pozitivisht nga të dyja palët.

“Takimi u vlerësua si miqësor dhe frytdhënës”, thuhet në njoftim të Komunës.

Të ngjashme