Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala para banorëve të Krushës së Madhe dhe të Vogël, që kanë protestuar para kësaj gjykate, ka thënë se nuk ka pasur prova që Darko Tasiqi ka qenë vrasës, raporton Ekonomia Online.
Ai ka ftuar familjarët që të hyjnë brenda për të biseduar rreth vendimit të Apelit, por ata s’kanë pranuar.
“Nëse jeni të interesuar me biseduar, ejani një grup deri në 10 vjet ua jap sqarimet e nevojshme” .
Por protestuasit i kërkuarn që të bisedojnë jashtë. “Jo brenda. Me popull bisedo jashtë. A e ke ftohtë a?”.
“Jo unë s’e kam ftohtë hiç, për atë dola jashtë. Nëse doni në këtë mënyrë me bisedu me mua, atëherë unë vetëm ju përshëndes”.
“Qetash brenda një ore ka me u publiku aktgjykimi. Asnjë gjë s’ka me qenë jotransparente”.
Arsim Shehu tha se në protestën e radhës do ta djegin gjykatën, pasi nuk e njohin.
“Ishalla shihemi në protestat e radhës e ta kallim krejt këtë gjykatë. Kjo gjykatë nuk vlen për Krushën e Vogël. Gjaku i qatyne të vrarëve i mbuloftë këta”.
Gjykata e Apelit ka përgjysmuar dënimin e Darko Tasiqit, i dënuar për krime lufte, nga 22 vjet në 11.
Në një deklaratë për media, Gjykata e Apelit thotë se e ka aprovuar pjesshëm ankesën e mbrojtësve të akuzuarit Darko Tasiq.
Më 22 qershor të këtij viti, Tasiq është shpallur fajtor për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës në Prizren Tasiq ishte shpallur fajtor për pikën dy të aktakuzës për përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ata dhe duke i hedhur në Lumin Drin.
Selami Hoti, kryetar i Krushës së Madhe theksoi se kjo protestë nuk e ka për qëllim që të bëhen spektakle, vetëm se po kërkohet drejtësi, raporton EO.
“Mos të provojë dikush ta keqpërdorë këtë protestë. S’kemi çka të hyjmë brenda. Duhet ta kuptoni që ne jemi viktima andaj çfarë prova duhet marrë, por ne e dimë që njerëzit nuk i kem”.
“240 të vrarë, nuk e di çfarë prova duhet të ketë më tepër. Këta kanë bërë krime në tërë Kosovën. Këtu jemi kundër politikës”.