Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, konsideron se shkëmbimi i komunave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ishte i drejtë.
Sipas tij, do të ishte korrekte nëse Serbia do të marrë pjesën veriore të Mitrovicës, kurse Kosova Luginën e Preshevës.
Ai thotë se këtë çështje e ka ngritur në fillim të takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi por që ai nuk është përgjigjur.
“Bislimi nuk është përgjigjur, ndoshta ka mbetur i befasuar në atë moment. Mendoj se është zgjidhja më e mirë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por edhe për Kosovën”, tha Arifi, raporton mediumi serb Danas.
Ndër të tjera ai ka theksuar se presidenti i Serbisë është gabim që vetëm një pjesë e Luginës t’i jepet Kosovës.
“Presidenti Vuçiç gjithmonë ka përmendur kompromisin dhe me siguri ka dashur të ketë menduar diçka të tillë. Por ai mendon që vetëm një pjesë e Luginës së Preshevës t’i jepet Kosovës dhe të merret veriu. Kosovës duhet t’i jepet e gjithë lugina”.
Arifi është optimist se një ditë do të ketë shkëmbim të Luginës së Preshevës me veriun e Kosovës, edhe pse, siç tha ai, nuk kanë kontaktuar me liderët serbë.
Në takim me Bislimin ai ka kërkuar që Qeveria e Kosovës në të ardhmen të ketë qasje pragmatike dhe të drejtpërdrejtë ndaj interesave dhe kërkesave të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës.
“Gjatë takimit Bislimi më ka premtuar se në takimin me delegacionin serb do të diskutohen të gjitha çështjet dhe shqetësimet e shqiptarëve nga komunat në jug të Serbisë qendrore”.