Zotimet që i kishte dhënë Kompania “Kelkos Energy” sa i përket ndërtimit dhe shfrytëzimit të hidrocentralit, karshi komunës së Deçanit nuk i ka respektuar, raporton Ekonomia Online.
Këto komente i ka bërë kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj gjatë raportimit në komisionin hetimor për procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve.
Ramosja ka thënë se zotimet që janë dhënë në kontratë nuk janë plotësuar nga “Kelkos Energy”.
“Ky projekt është iniciuar me një kërkesë në vitin 2012 ku ai ka marr pëlqimin dhe ndërkohë komuna e Deçanit ka qenë inkompetente sa i përket ndërtimit të hidrocentralit, raporti i ndërtuar mes neve nuk është mirëbesim”.
“Jam i bindur që nuk janë respektuar normat e ndërtimit dhe të shfrytëzimit. 7 kritere nuk janë plotësuar dhe ish dashtë që të bëhet ndërtimi i liqenit akumulues”.
“Ne kemi dhënë një pëlqim për studim të fizibilitetit, përgjatë punimeve unë besoj së janë humbur më shumë se dy burime”, ka shtuar Ramosaj.
Tutje ai ka thënë se nuk është i sigurt se a është shitur zhavorr nga kompania në atë zonë.
“Për lejen ndërtimore thash që nuk jem i sigurt, për marrëveshjen formale komuna i ka pas i ka edhe komisioni sepse nuk kemi pasur arsye me i fsheh. Nuk jam i sigurt që ka shitur zhavorr”.
Ai ka folur edhe për rrugën nacionale Deçan-Plavë, ku ka thënë se përçarjet i ka hasur gjatë ndërtimit të asaj rruge, si dhe nuk ka pasur një raport mirëbesimi të kompanisë ndaj komunës.
“Ballafaqimin si kryetar i komunës e kam hasur përgjatë ndërtimit të rrugës, ku kemi pasur një raport jo të mirëbesimit që është dashtë të ketë kompania me komunën, edhe pse unë kam kërkuar që kjo rrugë të ndërtohet”.
Kryesuesja e komisionit, Eliza Hoxha, ka pyetur se si ka filluar procesi i marrëveshjes ndërmjet komunës së Deçanit dhe kompanisë “Kelkos Energy”.
“Si ka nisur ky proces dhe marrëveshjeve kontraktuare mes komunës së Deçanit dhe kompanisë Kelkos Energy”.
Deputeti i VV-së, Artan Abrashi, është shprehur se deklaratat e kryetarit Ramosaj janë shumë domethënëse për punën e komisionit.
“Ju thoni që nuk ka ekzistuar një marrëveshje ndërmjet kompanisë dhe komunës së Deçanit”.
“Deklarata e kryetarit është domethënëse në punën e komisionit, dhe nuk tha se nuk është respektuar një marrëveshje ndërmjet kompanisë dhe komunës”.
Edhe deputetja e LDK-së, Besa Gaxherii ka kërkuar të dijë se kompania “Kelkos Energy” a ka shitur zhavorr në atë zonë.
“Pse i ka marr kompetencat MEA-së, sepse lejet e ndërtimit nuk mundet me i marr ministria, ju thatë që i keni dy marrëveshje që i keni bërë me Kelkos, dhe a ka shit zhavorr prej aty dhe sa veprimet janë marr nga inspektorati komunal”.