Pakoja e ligjeve me të cilat mbrohen Zonat e Veçanta të Mbrojtura është duke shkaktuar problem për përfundimin e punëve të rrugës Deçan-Plavë, tha kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, në një intervistë për Ekonomia Online.
Ramosaj tha se përkundër kësaj, brenda këtij viti do të përfundojë segmenti i parë i kësaj rruge, mirëpo jashtë zonës së veçantë.
Për ndërtimin e kësaj rruge Qeveria e Kosovës, në vitin 2014, kur ajo drejtohej nga Hashim Thaçi, kishte paraparë 50 milionë euro, por që ajo do të ndërtohej në faza, brenda dy a tri vitesh.
Punimet afër hapësirës së Manastirit të Deçanit u ndërprenë një muaj pas fillimit të tyre, në maj të këtij viti, kjo pas kundërshtimit të Kishës Ortodokse Serbe.
Ndërsa mosdhënien e miratimit nga Këshilli për Zbatim dhe Mbikëqyrje (KZM) për realizimin e punimeve në zonën e veçantë, Ramosaj e quan absurde, por po pret leje për fillimin e punimeve.
“Ne kemi pas një qasje tepër serioze në projektimin e kësaj rruge dhe në implementimin e këtij projekti. Kur kemi filluar kemi thënë se ne nuk do të bëjmë shkelje të asnjë ligji. Është një ligj që i menaxhon këto zona i miratuar në Parlamentin e Kosovës dhe ne jemi munduar me respektuar në tërësi kemi filluar me i kryer punimet jashtë zonës së veçantë deri sa ta marrim një pëlqim nga Manastiri dhe nga KZM të cilët nuk kanë qenë të gatshëm për me na dhënë pëlqimin që me hy në zonën e veçantë me punuar rrugën”.
“Është absurditet i kohës sepse rruga ka qenë ekzistuese edhe para manastirit edhe me shekuj e shekuj. Kjo rrugë ka qenë në funksion të këtyre qytetarëve mirëpo janë çështje administrative e ligjore të cilat ne nuk mundemi me ndërhy në to dhe këto punime kanë filluar jashtë zonës së veçantë”, tha ai.
“Jam i kënaqur me punimet që janë bërë në këtë pjesë me mënyrën qysh janë kryer punimet dhe me dinamikën që kompania e ka pas të përcaktuar për këtë pjesë dhe po besojmë që brenda këtij viti do të jetë segmenti i parë i shtruar asfalt që me përfunduar në vitin 2019 edhe segmenti i dytë edhe pse është tejet e vështirë për me i realizuar për shkak të kushteve edhe për shkak të terrenit të papërshtatshëm”.
Rrugën 33 kilometra nga Deçani deri në Plavë, e cila do të shkurtonte lidhjen e Kosovës me Malin e Zi, kryetari Ramosaj e ka cilësuar të rëndësisë së veçantë dhe në funksion të zhvillimit ekonomik.
Ai në intervistë për Ekonomia Online ka folur edhe për projektet e tjera të cilat do të realizohen në Deçan.
Ramosaj ka përmendur dy projekte në vlerë prej 9 milionë euro, implementimi i të cilave ende nuk ka filluar, raporton EO.
Sipas tij, arsyeja e mos fillimit të projekti për lumin e Deçanit dhe atij për ndërtimin e rrugëve lokale në këtë komunë janë vonesat e shqyrtimit të ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
“Janë dy projekte të cilat ende nuk kanë filluar me u zbatuar në komunë e Deçanit për shkak të ankesave të cilat kompanitë i kanë bërë dhe që Deçanit i kanë shkaktuar mjaft telashe të mëdha bëhet fjalë për dy projekte të cilat e kapin vlerën 9 milionë euro”.
“Njëra është e lumit të Deçanit e cila kemi thënë se mirëpo qe gjashtë muaj është në OShP dhe po ashtu e kemi edhe një kontratë tjetër e cila ka të bëjë me rrugë lokale që është në vlerë prej 4 milionë e 100 mijë”, tha Ramosaj.