Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani ka avancuar në mënyrë të kundërligjshme gjykatësin Drilon Haraçia nga Divizioni Penal i Departamentit të Përgjithshëm në Departamentin për Krime të Rënda.
Për t’u avancuar në këtë pozitë, ligji i kërkon së paku tri vite përvojë pune në lëmin penal, derisa gjyqtari Haraçia i ka vetëm 14 muaj.
Ky avancim është bërë duke shkelur Ligjin për Gjykatat, në mbledhjen e kolegjiumit vjetor të mbajtur në dhjetor të vitit 2020.
Edhe pse sipas Rregullores për Organizimin dhe Veprimtarinë e Brendshme të Gjykatave, përkatësisht në nenin 11, paragrafin 3 të saj, kryetari i gjykatës mund të bëjë caktimin, ricaktimin dhe transferimin e gjyqtarëve në departamente, divizione dhe degë përkatëse, një gjë e tillë në këtë rast është bërë në kundërshtim me nenin 32 të Ligjit për Gjykatat.
“1.1. për të ushtruar funksionin e gjyqtarit në Departamentin për Krime të Rënda apo për të Mitur në Gjykatën Themelore, kandidati duhet të ketë së paku tre (3) vite përvojë si gjyqtar në lëmin penal”, thuhet në pikën 1.1 të nenit 32 të Ligjit në fjalë.
Mirëpo, gjykatësi Drilon Haraçia ka pasur vetëm 14 muaj përvojë si gjykatës në Divizionin Penal të Departamentit të Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Gjakovë, çka nënkupton se avancimi i tij në Departamentin për Krime të Rënda është në kundërshtim me nenin e lartpërmendur.
Lidhur me këto gjetje, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në adresë të kryetarit të Gjykatës së Gjakovës, Nikollë Komani, gjykatësit Haraçia si dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Nga zyra për informim e Gjykatës Themelore në Gjakovë kanë thënë se avancimi i gjykatësit në fjalë nuk është bërë në kundërshtim me nenin 32 të Ligjit për Gjykatat, pasi që sipas tyre, gjykatësi Haraçia edhe në kohën sa ka shërbyer në Divizionin Civil të Departamentit të Përgjithshëm ka marrë pjesë edhe si anëtar i trupeve gjykuese në Departamentin për Krime të Rënda.
“Gjyqtari Drilon Haraçia është emëruar gjyqtar në vitin 2015, duke u ngarkuar me lëndë të natyrës civile. Mirëpo, që nga fillimi i punës së tij si gjyqtar, me planin e punës së gjykatës, ai ka qenë i caktuar edhe si anëtar në trupa gjykues në Departamentin e Krimeve të Rënda (për ilustrim, veç në vitin 2015 gjyqtari Haraçia ka marrë pjesë në 23 trupa gjykues në Departamentin e Krimeve të Rënda)”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Kjo gjykatë ka arsyetuar se avancimi i gjyqtarit Haraçia nuk është bërë duke shkelur ligjin, pasi nga 2015-ta e deri më 2020 ka trajtuar edhe lëndë penale gjatë punës së tij.
“Ky plan i punës e ka përcjell gjyqtarin në fjalë edhe në vitin 2016, 2017, 2018 dhe dhjetë (10) muaj të vitit 2019. Nga data 01 nëntor 2019 gjyqtari Haraçia, ka kaluar nga Divizioni Civil në Divizionin Penal duke u ngarkuar vetëm me lëndë të natyrës penale, ndërsa nga data 01 janar 2021 është caktuar gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda. Me fjalë të tjera, gjyqtari Drilon Haraçia, përpos lëndëve civile, nga viti 2015 deri në fund të vitit 2020, më plan të punës së Gjykatës Themelore në Gjakovë ka trajtuar edhe lëndë të natyrës penale. Shtuar faktin që përvoja e gjyqtarit në fjalë ka qenë mbi pesë (5) vjet, mbi këto baza, avancimi i tij nuk është bërë në kundërshtim me nenin 32 të Ligjit për Gjykatat.”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Gjakovës për “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata e Gjakovës ka bërë interpretim të gabuar të nenit 32 të Ligjit për Gjykatat, pasi që në atë nen qartë thuhet se për të ushtruar funksionin e gjykatësit në Departamentin për Krime të Rënda, kandidati duhet t’i ketë 3 vite përvojë si gjykatës në lëmin penal, ndërsa gjykatësi Haraçia ka shërbyer si gjykatës në lëmin civil dhe vetëm 14 muaj si gjykatës në lëmin penal.
Në anën tjetër, KGJK nuk ka kthyer përgjigje lidhur me këto gjetje.