Kryetar i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski është infektuar me koronavirus ndërsa një ditë më parë priti në takim një delegacion të qeverisë të kryesuar nga kryeministri, Oliver Spasovski.
Në këtë mbledhje është diskutuar për gjendjen në Kumanovë dhe kërkesën e kryetarit të komunës për vendosjen e qytetit në karantinë shtetërore për shkak të numrit të madh të të infektuarve.
Pas Shkupit, Kumanova është qyteti me numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus, 276.
Njoftimin se është prekur nga sëmundja, COVID 19, që shkakton koronavirusi e bëri vetë Dimitrevski në një postim në rrjetin social Facebook duke u bërë thirrje banorëve të Kumanovës që të jenë të kujdesshëm.
“Ju lutem që të jemi të përmbajtur, nuk ka vend për panik, kërkoj nga ju disiplinë, respektim të masave dhe rekomandimeve për distancë sociale. Ju lutem nga shpirti dhe zemra, ju lutem respektoni masat, shmangni kontaktet e afërta, shëndeti është mbi të gjitha, kështu do të fitojmë të gjithë”, ka shkruar Dimitrievski.
Infektimi tij ndërkohë ka alarmuar edhe qeverinë. Kryeministri Oliver Spasovski, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce, Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani nuk kanë shkuar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku vendoset për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut, edhe për 30 ditë ashtu siç ka kërkuar qeveria.
Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani ka njoftuar se nga dita e enjte është futur në vetizolim.
“Pas konfirmimit pozitiv për COVID-19 të Kryetarit të Kumanovës, e meqë të mërkurën kishim takim në Shtabin Komunal në Kumanovë, pavarësisht se gjatë gjithë kohës kam qenë me mjete mbrojtëse personale, maskë dhe doreza që epidemiologët i vlerësojnë si të mjaftueshme për t’u mbrojtur, vendosa që të enjten të mos shkoj në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë te presidenti si dhe të vetizolohem deri të martën kur duhet të bëhet testimi sipas protokolleve”, ka shkuar Osmani në Facebook.
Në takimin e Kumanovës, kanë qenë edhe zyrtarë tjerë si, Ministri i Arsimit, Arbër Ademi dhe anëtar të shtabit të krizës.
Kryetari i Kumanovës ndërkohë ka njoftuar edhe për 40 raste të reja me koronavirus në Kumanovë, dhjetë prej të cilëve janë anëtar të shtabit lokal.