Kryetari i komunës së Mitrovicës dhe ai i Vushtrrisë, kanë nënshkruar deklaratë zotuese për arritjen e një zgjidhjeje, lidhur me problemin e mirëmbajtjes së rregullt të deponisë regjionale të mbeturinave, në fshatin Koshtovë.
Ky zotim u bë, sot gjatë një tryeze diskutimi që Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur me kryetarët e këtyre komunave si dhe qytetarë, lidhur me problemet që po shkakton mosmirëmbajtja e kësaj deponie.
Arjeta Miftari nga KDI, ka njoftuar se KDI-ja, është marrë nga afër që nga dhjetori i vitit që shkoi me këtë çështje, për çka janë organizuar takime mes banorëve e autoriteteve lokale, në mënyrë që të lehtësohet komunikimi dhe arritja e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, deklaroj që komuna është duke u marr me këtë problem qe 6 vite dhe se planifikojnë që të bëjnë mbulimin e saj çdo një muaj e gjysmë. Po ashtu ai tha se ka pengesa nga niveli qendror duke e bllokuar procesin e funksionalizimit të një fabrike për trajtimin e mbetjeve.
Kurse kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se bashkëndjenë me banorët e fshatit Koshtovë dhe i njëjti kërkoj nga niveli qendror ta zhbllokojë procesin e funksionalizimit të fabrikës për riciklimin e mbetjeve të tyre.
Ndërkaq, dokumentuan përmes fotografive dhe dokumenteve të ndryshme gjendjen e përgjithshme të kësaj deponie si dhe kërkesat dhe peticionet e tyre që u janë drejtuar institucioneve relevante.
KDI do të monitoroj nga afër këtë çështje dhe se do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me banorët dhe institucionet relevante lokale dhe qendrore për arritjen e një zgidhje të pranueshme për të gjitha palët.
Ky projekt mbëshetet nga Ambasada Britanike në Prishtinë.