Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, heqjen e tarifës së vendosur për produktet serbe dhe boshnjake, duke thënë se Kosova ka të tjera prioritete zhvillimore.
Rukiqi ka deklaruar se në hulumtimet e ndryshme që kanë bërë në komunitetin e biznesit, mbi 60% e bizneseve që operojnë në vend kanë deklaruar se janë në favor të një marrëveshje me Serbinë, që përfundimisht normalizon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo përkrahje e komuniteti të biznesit për një proces politik të rëndësishëm për vendin, derivon nga bindja e thellë që eksziston të kompanitë e ndryshme në Kosovë, që një përmbyllje e dialogut dhe një marrëveshje me Serbinë, do të krijon kushte, që institucionet tona përfundimisht të fokusohen në politika të zhvillimit dhe mirëqenies dhe largon çdo pretekst për dështimet e vazhdueshme në politikat ekonomike dhe atraktivittin e vendit për të nxitur investime, eksport dhe punësim. Në kontekstin aktual, kjo marrëveshje po synohet të arrihet me një proces dialogu, me përkrahje dhe involvim direkt të Shteteve të Bashkuara të Amerikë, vendeve tjera të Quintit, institucioneve të BE-së, por procesi dialogues që do të mund të rezultonte me marrëveshje, po kushtëzohet nga largimi i tarifës 100% (masë e drejtë dhe legjitime), e cila
në një kontekst tjetër ishte përgjigje e shtetit të Kosovës, për tërë destruktivitetin e Serbisë në raport me Kosovën dhe si e tillë u përkrah me nje koncenzus të gjerë shoqëror, përfshirë edhe bizneset”, thotë ai.
Kreu i Odës Ekonomike thotë se stabiliteti politik në vend, varet edhe nga progresi në dialog.
“Stabiliteti politik në vend, ndër të tjera, varet edhe nga progresi ne dialog, perspektiva për paqe në rajon dhe qartësia në procesin e integrimit në BE. Në anën tjetër, atraktiviteti i vendit për investime nga brenda dhe nga jashtë varet nga stabiliteti politik. Çdo ngecje në dialog, çdo perspektivë e konflikteve të ngrira apo vazhdimit të status quo-s, do të këtë implikime afatgjata në mundësitë për të tërhehqur investime, në shkallën që është e nevojshme për gjenerim të punësimit dhe zhvillimit të qendrueshëm. Faktori i stabilitetit politik është mësë i mjaftueshëm për një pozicion të qartë të komunitetit të biznesit, në favor të shfuqizimit të kushtëzuar, të tarifës 100 % për produktet nga Serbia dhe Bosna”, ka shkruar Rukiqi.