Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ia ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, peticionin i cili kërkon shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit, raporton Ekonomia Online.
Mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje gjatë takimit.
Iniciativa për peticion për shfuqizimin e ligjit për lojërat e fatit, u mor pas vrasjeve të dyshimta që ndodhën në objektet e lojërave të fatit në Suharekë dhe në Lipjan.
Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka bërë të ditur se janë mbledhur mbi 11 mijë nënshkrime nga qytetarët për peticionin i cili kërkon shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit.
Kurse kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar se në mbledhjen e Qeverisë, do të shfuqizohet ligji ekzistues për lojërat e fatit.
Kuvendi miratoi të premten rezolutën e iniciuar nga opozita për këtë çështje.
Kërkesa për mbylljen e lojërave të fatit ka ardhur pas dy rasteve të vrasjeve brenda objekteve të lojërave të fatit, në Suharekë dhe së fundi në Lipjan.