Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka mbajtur sot mbledhjen publike me qytetarë, mbledhje kjo e cila në bazë të Ligjit ftohet dy herë në vit dhe ka karakter informues dhe bashkëbisedues me qytetarët lipjanas.
Kryetari Ahmeti në hapje të debatit në sallën e Kuvendit Komunal, ka kërkuar nga qytetarët e Komunës së Lipjanit të jenë më aktivë në tubimet që thirren nga Komuna, duke theksuar se “qytetaria aktive prodhon një qeverisje më dinamike dhe më llogaridhënëse”.
Kreu i Komunës, në vazhdim, ka folur për angazhimet dhe aktivitetet e përditshme. Ai ka theksuar se në këtë vit buxhetor janë një numër i konsiderueshëm i projekteve të planifikuara shumica e të cilave janë kontraktuar ku disa prej tyre edhe kanë filluar të implementohen në terren.
Po ashtu i pari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, përgjatë diskutimit me qytetarë, tha se përveç projekteve të planifikuara në buxhetin e Komunës, të planifikuara kanë qenë edhe projekte të tjera të cilat janë arrit me memorandum të mirëkuptimit me ministri të ndryshme, por që janë tëheq nga këto ministri që për ne këto projekte sipas kryetarit Ahmeti kanë qenë të nevojshme dhe ndikuese në zhvillimin e mirëqenies së qytetarit në Lipjan.
Ndërkaq, qytetarët derisa kanë bashkëbiseduar me Kryetarin Imri Ahmeti, në të njëjtën kohë kanë falënderuar për lehtësirat të cilat i ka krijuar komuna në mirëqenien e tyre në shumë fusha.Ata kanë bërë pyetje të ndryshme rreth zhvillimeve aktuale si dhe planeve për të ardhmen. Kryetari Ahmeti i është përgjigjur të gjitha pyetjeve të parashtruara nga pjesëmarrësit.