Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, priti sot në takim ministren e Drejtësisë së Shqipërisë, Etilda Gjonaj, e cila po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë.
Kryetari Peci e njoftoi ministren me zhvillimet në gjyqësorin vendor, përfshirë luftën ndaj korrupsionit, procesin e reformimit të sistemit gjyqësor dhe sfidat aktuale në drejtësinë vendore.
Po ashtu, kreu i Supremes prezantoi para mysafirëve nga Shqipëria, progresin e shënuar nga gjykata që drejton, jo vetëm në zgjidhjen e lëndëve me kohë, por edhe në nxjerrjen e qëndrimeve parimore si dhe udhëzimeve për të gjitha gjykatat në vend.
Ndërkaq, duke elaboruar procesin e verifikimit të integritetit të gjyqtarëve, që kishte ndodhur në Kosovë, në vitin 2010, kryetari Peci, nënvizoi sfidat e asaj periudhe, e cila përveç që kishte lënë sistemin me një numër të vogël gjyqtarësh, kishte ndikuar në grumbullimin e lëndëve nëpër gjykata dhe rrjedhimisht rënien e besimit të qytetarëve në drejtësi, si pasojë e zvarritjes së lëndëve me vite. Megjithatë, kreu i Supremes, sqaroi se tanimë gjyqësori ka arritur të konsolidohet dhe numri i gjyqtarëve është dyfishuar.
Në anën tjetër, ministrja Gjonaj, ka potencuar angazhimin e qeverisë shqiptare në reformën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e procesit të vetingut që aktualisht po zhvillohet atje. Sipas saj, procesi i vetingut në Shqipëri, ka pasur rezultatet mbresëlëndëse dhe befasuese për shumëkënd, por njëkohësisht është mundësuar krijimi i mekanizmave garantues për transparencën dhe meritokracinë. Si progres, ministrja theksoi edhe ndarjen e politikës nga sistemi i drejtësisë.
Të dy bashkëbiseduesit kanë rënë dakord që Kosova dhe Shqipëria duhet thelluar bashkëpunimin me njëra tjetrën dhe duhet shfrytëzuar mundësitë e shumta për të rritur progresin në sistemin e drejtësisë, në të dyja vendet.