Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese flet për mbrojtjen e pavarësisë dhe autoritetit të institucionit

Prishtinë | 06 Tet 2023 | 11:53 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjykata Kushtetuese është shprehur e gatshme për të bashkëpunuar me shoqërinë civile dhe mediet. Kështu ka thënë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, raporton Ekonomia Online.

Interesin e medieve, Caka-Nimani e ka vlerësuar lart, teksa u zotua se do të vazhdojë edhe përmes bashkëpunimit me IKD-në.

“Në parim, ndër të tjerash përfshirë sipas rekomandimeve të Këshillit Konsultativ të gjyqtarëve evropianë të Këshillit të Evropës, përfshin detyrën e gjyqtarit përfshirë institucionin përkatës për të ushtruar diskrecion të plotë dhe vetëpërmbajtje dhe moderim në komunikim me publikun, përfshirë në të përgjigjurit në sulmet e mundshme, përfshirë nga forcat politike, gjithnjë në mbrojtje të parimit të pavarësisë dhe autonomisë institucionale dhe autoritetit të institucionit”.

“Në parim, nuk flas vetëm për Gjykatën tonë por sipas parimeve që burojnë nga trashëgimia e përbashkët e Gjykatave Kushtetuese në demokracitë liberale, çdo komunikim i gjyqtarëve ose bartësve të institucioneve, duhet të ketë tonin, balancin dhe respektin e nevojshëm në të shprehur, në mënyrë që të ruhet pavarësia, paanësia e institucionit”.

E drejtori i Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, Noel Bauer, duke falënderuar të pranishmit tha se do të vazhdojnë që të mbështesin të dyja palët në mënyrë që të arrihen rezultate.

Gzim Shala nga IKD, tha se mungesa e monitorimit, shpeshherë e ka vënë në lajthitje publikun. Duke marrë si shembull Ligjin për Zyrtarët Publikë, Shala tha se mediet e kanë interpretuar Ligj anti-Kushtetues, gjë që ishte e kundërta.

“Fatmirësisht kemi parë një vullnet pozitiv nga Gjykata Kushtetuese për t’u monitoruar dhe është për t’u vlerësuar shumë. Ne aktualisht jemi duke i informuar publikun mbi vendimet që merr Kushtetuesja dhe do t’i publikojmë edhe analizat për të pasqyruar drejtë punën e Kushtetueses dhe për të dhënë vërejtjet tona”.

“Fatkeqësisht vazhdojmë të shohim rastet kur raportimi për Gjykatën Kushtuese çalon në fakte dhe jo në interpretim. Njëri prej rasteve ka qenë raportimi i medieve se Ligji për Zyrtarët Publik është shpallur në tërësi kundër-kushtetues. Pra raportimi në 90 për qind i medieve ka qenë kështu dhe nuk është raportuar drejtë se në parim është konfirmuar kushtetutshmëria, me përjashtim të disa neneve që është obliguar Kuvendi t’i adresojë”, u shpreh Shala, teksa adresoi edhe kritika për spektrin politik.

“Në mungesë të monitorimit, nuk ka qenë e kanalizuar as kritika. Nëse shohim kritikën për Kushtetutën, ka qenë abstrakte, politike, e cila në disa raste është cytur prej partive politike e pushteteve tjera, mirëpo asnjëherë nuk ka qenë kritikë profesionale për të ballafaquar fakte e argumente që Kushtetuesja e ka gabim, sipas tyre. Pra kryesisht, reagimet kanë pasur defekt në fakte”, u shpreh Shala.

Të ngjashme