Kryeziu: Opozita aktuale, më e dobët se asnjëherë më parë

Prishtinë | 17 Sht 2020 | 20:56 | Nga Ekonomia Online

Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës e ka cilësuar opozitën aktuale, të përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës si më të dobëtën ndonjëherë.

“Sot Kuvendi ka një opozitë më të dobët se asnjëherë më parë, për arsye se edhe opozita e kaluar ndaj Qeverisë Haradinaj së paku kishte një bashkëpunim mes vete, për dallim nga kjo opozitë tani e Vetëvendosjes dhe PDK që nuk kanë asnjë dakordancë për aktivitetet dhe veprimet e tyre politike”, ka thënë ai në DESKU të KTV-së.

Kryeziu njëkohësisht ka potencuar se Kosova e ka një qeveri me përplasje të brendshme, por pa shumicë parlamentare.

“Jemi në një situatë ku mendoj që përdorimi i dialogut për kauza elektorale, si dhe paaftësia politike e këtyre njerëzve që udhëhiqen Kosovën për 20 vjet na solli në një situatë të tillë”, ka thënë ai, duke e cilësuar politikën aktuale si “politikë e individësh”.

“Dhe Parlamenti i Kosovës, subjektet politike dhe akterët tjerë, si shoqëria civile, janë të pafuqishëm rreth mundësisë së ndikimit në qasjen që i kanë dhënë dialogut këta pesë apo gjashtë individë”, ka thënë ai.

Kryeziu ka theksuar se përçarjet i konsideron shkaktarë të dështimeve në dialog.

“Normalisht që ne pas vitit 2008, pas shpalljes së pavarësisë, do të duhej të kalonim nëpër një proces të ndërtimit të marrëdhënieve me Serbinë, por do të duhej të kishim një klasë politike më të përgatitur”, ka thënë ai.

Kryeziu e ka përmendur si shembull pozicionin aktual gjeostrategjik të Serbisë.

“Përkundrazi, ne nga viti 2008 kemi arritur ta degradojmë pozicionin tonë”, ka thënë ai, duke shtuar se klasa politike “e përfshirë në shumë afera korruptive e nepotizëm, nuk ka pasur kapacitete për të zhvilluar politika dhe strategji”.

“Kjo është një ndër arsyet thelbësore, që neve na solli në këtë situatë lidhur me dialogun, dhe pastaj dialogu është përdorur në forma dhe mënyra të ndryshme për të përfituar vota. Madje, nëse i rikthehemi tani pyetjes se kush është fajtori, përpos subjektit politik LVV që asokohe nuk e ka përkrahur atë format të dialogut, të gjitha subjektet politike që sërish janë në pushtet dhe opozitë e kanë përkrahur dhe kanë filluar këtë format të dialogut, për ta ndërprerë dikur më 2015, pas marrëveshjes së Asociacionit. Pra, fajësia është e kësaj klase politike që përfshin LDK-në, PDK-në dhe vetë AAK-në”, ka thënë ai.

Të ngjashme