Kandidati i LDK-së për kryetar të Dragashit, Selim Kryeziu, ka thënë të enjten në një tubim me qytetarë të kësaj komune, se ngjashëm me zgjedhjet e qershorit, edhe të dielën LDK-ja do të dalë partia e parë në Dragash, madje me një fitore më të thellë.
“Sot nuk do të shpalos programin tim, sepse e kam shpalosur në çdo pjesë të komunës, çdo fshat e lagje. Amerikanët e kanë një ditë të mirë që e quajnë Dita e Falënderimeve dhe ndoshta është mirë që edhe ne ta kemi një ditë të tillë, vetëm për të falënderuar gjithë banorët e Dragashit për mbështetjen që i kanë dhënë programit tonë për qeverisjen në katër vitet e ardhshme”, ka thënë Kryeziu.
Ai i ka falënderuar edhe zyrtarët e lartë të LDK-së, duke filluar nga kryetari Isa Mustafa, pastaj deputetët Avdullah Hoti, Vjosa Osmani, Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku e të tjerë për përkrahjen e madhe.
“Është koha e fundit që LDK-ja të kthehet në pushtet në Dragash dhe në tërë Kosovën. Ne kemi përkrahje të madhe qytetare, por më 22 tetor duhet të kemi kujdes nga hajdutëritë, sepse ata e kanë zakon të parë. Pres që të dielën të festojmë së bashku”, ka thënë në fund Kryeziu.
Ndërsa, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se qysh sot mund ta shpallim fitoren në Dragash, jo vetëm se ia kemi qëlluar me një kryetar të LDK-së për Dragash, por më shumë ia kemi qëlluar me një kryetar të Komunës së Dragashit.
Mustafa e ka vlerësuar lart Kryeziun, por edhe kandidatët për asambleistë. “Selim Kryeziu është dashur që shumë më herët të jetë kryetar i Dragashit. Besoj fuqishëm se gjithçka do të përfundojë më 22 tetor dhe ne do ta kemi Selimin kryetar të kësaj komune, qysh në raundin e parë pa balotazh”, ka shtuar kreu i LDK-së.
“Në Dragash puna duhet të fillojë më 22 tetor. LDK është e interesuar t’i kontribuojë zhvillimit të kësaj komune. Askush sikurse LDK e drejtuar nga Ibrahim Rugova nuk ka ditur të përmbushë kërkesat e qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Askush më mirë se LDK-ja e sotme nuk di të përmbushë kërkesën e qytetarëve të Kosovës për zhvillim dhe integrim”, ka thënë Mustafa.
Këto synime, sipas Mustafës, për qytetarët e Dragashit i realizon Selim Kryeziu, dhe për komunat tjera kandidatët tjerë të LDK-së në të gjitha komunat e Kosovës. “Sepse kemi kandidatët më të mirë për kryetar komunash dhe kandidatët më të mirë për Asambletë e Komunave tona. Ne kemi treguar si qeveriset me duar të pastra. E vetmja qeveri pa skandale korrupsioni është qeverisja e LDK-së. Edhe qeverisjet e LDK-së nëpër komunat e Kosovës janë model i qeverisjes së pastër dhe të përgjegjshme”, ka thënë Mustafa.