Tri javët në vijim janë përcaktuese nëse Kosova do të mundë të hyjë sivjet në agjendën e Këshillit të Ministrave për liberalizimin e vizave. Ndërkohë që deri tani mbi 10 shtete të Bashkimit Evropian po hezitojnë ta mbështesin heqjen e regjimit të vizave për kosovarët. Këtu përfshihen shtete të rëndësishme si Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, Austria, vendet skandinave, si dhe vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, shkruan “Zëri”.
Taulant Kryeziu, kryetar i Bordit Ekzekutiv të Institutit EPIK, ka thënë që pas votimit të Parlamentit Evropian për çështjen e vizave të Kosovës skepticizmi i shteteve anëtare të BE-së është rritur.
“Kur e përmendim Gjermaninë, Holandën dhe Francën, e dimë skepticizmin e tyre duke u bazuar në votimin e tyre në Parlamentin Evropian, kur u është dhënë mandati përfaqësuesve të komitetit LIBE që të fillojnë dialogun me shtetet anëtare të BE-së. Tash skepticizmi është rritur dhe ky numër është ngritur në 10 ose 12 shtete, kjo e vë në pikëpyetje atë që vendimmarrja mund të ndodhë sivjet”, ka thënë Kryeziu pqr “Zërin”.
Sipas tij, në rritjen e skepticizmit të këtyre vendeve ka ndikuar mospërparimi në fushën e sundimit dhe të ligjit në Kosovë.
“Njëri element që ka ndikuar në rritjen e skepticizmit te këto shtete është regresi në sundimin e ligjit, gjë që është konfirmuar edhe nga Zyra e BE-së, edhe nga Gjermania. Pra, vendet kryesore po thonë që luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit lidhet me vullnetin politik të këtyre shteteve, pra kjo ka ndikuar që këto shtete të hezitojnë për këtë proces, sepse ne në vend që të kontribuojmë për mirë kemi kontribuar negativisht”, ka potencuar ai.
Ndërsa duke folur për 5 shtetet të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Kryeziu ka thënë që këto vende mosnjohëse nuk e kanë fuqinë bllokuese në procesin e liberalizimit të vizave, sepse pakica bllokuese nënkupton 4 shtete që përfaqësojnë 35% të popullsisë së BE-së e këto 5 vendet mosnjohëse nuk përbëjnë këtë përqindje.