KShZ-ja zyrtarizon Pendarovskin në postin e presidentit të Maqedonisë së Veriut

Prishtinë | 11 Maj 2019 | 13:25 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e ka zyrtarizuar Stevo Pendarovskit për president të Maqedonisë së Veriut. KSHZ-ja ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, ndërsa Pendarovskit i ka dorëzuar vërtetimin e Presidentit të Shtetit, në maqedonisht dhe shqip.

Mandati i presidenti të ri nis të dielën, më 12 maj, në një seancë solemne të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Presidenti i ri, Stevo Pendarovski, pas marrjes së certifikatës së zgjedhjes në krye të shtetit tha se do të punojë për të mirën e vendit, ndërsa theksoi se si prioritet do të ketë dekretimin e ligjeve që kanë lënë zvarrë procesin e reformave, meqë presidenti në largim, Gjorge Ivanov kishte refuzuar t’i firmos për shkak se mbanin emrin “Maqedonia e Veriut” të cilin ai nuk e kishte pranuar.

Pendarovski tha se në kabinetin e tij nuk do të ketë revanshizëm politik, por se ata që kanë gabuar do të përgjigjen para drejtësisë.

Në inaugurimin e presidentit të ri do të marrin pjesë presidentë e zyrtarë të lartë të më shumë shteteve, në mesin e të cilëve edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisl, Aleksandar Vuçiq.

Në balotazhin më 5 maj, Stevo Pendarovski, kandidat i partive të koalicionit qeveritare të udhëhequr nga LSDM-ja, fitoi ndaj kandidates nga opozita, Gordana Siljanovska-Davkova.

Për Pendarovskin, që kishte mbështetjen e partive shqiptare, votuan rreth 435 mijë vota apo afër 51.65 për qind të votave, ndërsa për kandidaten e opozitës, Gordana Siljanovska-Davkova rreth 378 mijë vota apo 44.75 për qind.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme