Maqedonia e Veriut shpall gjendje të jashtëzakonshme edhe për 8 ditë të tjera

Prishtinë | 16 Qer 2020 | 10:44 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, zgjati me 8 ditë gjendjen e  jashtëzakonshme, për të mundësuar përgatitjen e qetë të zgjedhjeve.

Vendimi, siç raportohet nga Zyra e Presidentit, është marrë në bazë të nenit 125 dhe nenit 126 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë Veriore, pas një propozimi të paraqitur nga Qeveria dhe zgjat tetë ditë, duke filluar nga 15 qershori i vitit 2020.

“Partitë politike kanë arritur një marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në 15 korrik 2020. Në këtë drejtim, vendimi për të shpallur një gjendje të jashtëzakonshme merret me qëllim që të mundësohet përgatitja e qetë e zgjedhjeve, dhe veçanërisht zbatimi i masave për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë procesit zgjedhor, në një pandemi të Coronavirusit të deklaruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, thuhej në deklaratë.

Pas marrëveshjes politike, Presidenti Pendarovski pret që institucionet të ndërmarrin të gjitha hapat për përgatitjen e  procesit zgjedhor.

Në këtë kuptim, Presidenti Pendarovski pret që ditët e gjendjes së jashtëzakonshme të përdoren vetëm për të marrë vendimet dhe protokollet e nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, me theks në masat për mbrojtjen e shëndetit publik.

Presidenti Pendarovski pret që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të jenë të drejta, të lira dhe demokratike, duke pasur parasysh perspektivën euro-atlantike të vendit.

Të ngjashme