Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, priti një delegacion të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit – KSM (Millenium Challenge Corporation), të përbërë nga: James A. Gerard, drejtor menaxhues i Thesarit të Programit; Brian Forni, Zyra e Sfidave të Mijëvjeçarit të Kongresit Amerikan; Sarah Olmstaed, lidere e Ekipës dhe Petrit Selimi, koordinator Nacional i KSM-së.
Takimi kishte karakter të këmbimit të ideve dhe mundësive të bashkëpunimit në mes të MMPH-së dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, e cila planifikon donacione në fushën e mjedisit.
Ministri Shala delegacionit i shprehu falënderim për bashkëpunimin dhe ndihmën e dhënë për MMPH-në dhe u shpreh i gatshëm për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme në funksion të bashkëpunimit më të lehtë dhe më të frytshëm.
Ai dhe bashkëpunëtorët e tij ofruan informacionet për projektet e implementuara në fushën e mjedisit, ato në vijim dhe planifikimet sipas prioriteteve të shpalosura para delegacionit mysafirë.
Delegacioni i KSM-së shpalosi prioritetet e korporatës në tre fusha: Legjislacioni, Energjia dhe Mjedisi. Ndërkaq, ministri Shala theksoi tre top prioritetet e MMPH-së si: uji, ajri dhe mbetjet urbane.
U këmbyen idetë e bashkëpunimit konkret, të cilat do të formësohen në takimin e radhës si projekte, me të cilat MMPH-ja do të jetë dukshëm më e përgatitur për t’i realizuar objektivat dhe vizionin e saj.