Matësi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për cilësinë e ajrit në Pejë, që gjendet në oborr të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) në lagjen “Fidanishte”, sërish ka filluar të tregojë vlerat e cilësisë së ajrit, të cilat mund të shikohen në internet në rrjetin shtetëror të monitorimit të cilësisë së ajrit, në faqen e IHMK-së.
Këto të dhëna për vlerat e ajrit në Pejë nga stacioni monitorues i cilësisë së ajrit kanë munguar që nga muaji gusht, kur pajisjet ishin prishur për shkak se kanë qenë në funksion kohë të gjatë dhe ndërkohë janë zëvendësuar me pajisje të reja, të cilat ditëve të fundit kanë filluar të tregojnë vlerat e ndotësve të ajrit, shkruan sot Koha Ditore.
Deri para prishjes, matësi i ajrit kishte monitoruar vetëm grimcat e pluhurit të suspenduara në ajër me diametër 2.5/10 mikrona, respektivisht ndotësit PM 2.5 dhe PM 10, por jo edhe parametrat e dyoksideve të sulfurit, karbonit, nitrogjenit, ozonit… Pajisjet e reja megjithatë nuk tregojnë të gjithë ndotësit. Në ora 12:00, të hënën, mungonin në faqen e rrjetit shtetëror të monitorimit të cilësisë së ajrit të dhënat për ndotësit PM 2.5 dhe PM 10. Por mund të shiheshin të dhënat për nivelin e monoksidit të karbonit, dyoksidit të nitrogjenit dhe ozonit, që më herët nuk kanë qenë dhe që të hënën tregonin vlerat normale.
“Matësi i ajrit është funksionalizuar. Edhe dy parametra kemi me i shtu, atë të matësit PM 2.5 dhe PM 10. Me rëndësi është se po kompletohet matësi i ajrit”, tha Shkumbin Shala, përgjegjës për matjen e ajrit në IHMK. Pajisjet e reja që janë instaluar me projektin e MCC “Millennium Foundation”, që është program i Qeverisë amerikane, e që janë instaluar në shtatë qendra të Kosovës, sipas Shalës, janë më të mira sesa që i ka Japonia. Ai këtë krahasim e bën, pasi ai vetë para dy muajve kishte qenë në trajnim në Japoni për ajrin.