Virusi Covid-19 dhe luftërat e këtij lloji (si kjo në Ukrainë), më shumë i kanë hije Mesjetës evropiane se sa këtij shekulli.
Viteve të fundit në Botë kanë ndodhur gjëra që nuk kanë mundur të imagjinohen dot. Madje, as në Hollywood, në ‘Fabrikën e ëndërrave’.
Duket që ‘Fabrika e realitetit’ po del shumë më e fuqishme se sa kjo e para.
Kush ka mundur të supozojë, tre vjet më parë, që Bota do të mbërthehet nga një virus, i ardhur nga Kina, i cili më pas do të pagëzohet si Covid-19? Që prej këtij virusi, miliona njerëz do të vdesin në të katër anët e Rruzullit Tokësor? Që dëmet nga ky virus do t’ia kaojnë atyre të luftërave më të mëdha botërore?
Kush ka mundur të imagjinojë, një vit më parë, që Rusia do ta sulmojë, në mënyrën më brutale të mundshme, një shtet sovran, Ukrainën, për ta nisur luftën e cila do ta kthejë përmbysë Rendin ndërkombëtar?
Në jetë, në realitet pra, ndodhën dukuritë të cilat nuk është dashur të shfaqeshin, së paku nga ai pikëshikimi racional, në një Botë të decenies së tretë të Shekullit XXI.
Si virusi, si luftërat e këtij lloji (si kjo në Ukrainë), më shumë i kanë hije Mesjetës evropiane se sa këtij shekulli.
Sidoqoftë, vlerësimet e ftohta të zhvilimeve politike dhe historike në Evropë (dhe në Botë), parapëlqejnë krahasimet të cilat maten me dhjetëra vjet, e jo me shumë shekuj. Kështu, për analizat e këtij lloji, është e pritshme që 24 shkurti i vitit 2022, dita kur nisi agresioni rus mbi Ukrainën, të shënohet si data kur mori fund Kapitulli historik në Evropë dhe në Botë që nisi në mesnatën e 9 nëntorit, 1989, kur filloi rrënimi i Murit të Berlinit.
Kemi të bëjmë pra me 33 vjet histori. Mbase, 33 vjet mund të jenë pak për një njeri dhe për një familje, por doli që të jenë shumë për njerëzimin. Çka nuk ndodhi dhe nuk u shënua në këto 33 vjet, të cilat, paradoksalisht, njohin dy liderë rus si kryeprotagonist të tyre, së paku kur bëhet fjalë për fillimin dhe fundin e këtij Kapitulli historik.
Mikhail Gorbachev (‘Gorbi’, siç do të quhej shpesh nga politikanët perëndimor), lideri i fundit i Bashkimit Sovjetik, në atë vjeshtën e vitit 1989, vendosi ta pranojë realitetin, i cili ngërthente në vete lajme për fundin e ‘Luftës së Ftohtë’, për fundin e Komunizmit dhe për fundin e Bashkimit Sovjetik.
Nuk do të kishte paqe në Evropën e vitit 1989, pa Mikhail Gorbachevin.
Vladimir Putin, në këtë dimrin e vitit 2022, vendosi t’i jep fund kësaj paqeje që iu qep përfundimit të ‘Luftës së Ftohtë’, duke shkaktuar një luftë të paprecedent në Evropë që nga viti 1945, kur mori epilogun e njohur Lufta e Dytë Botërore.
Nuk do të kishte luftë në Evropën e vitit 2022, pa Vladimir Putinin.
Ata që janë të prirë për të gjetur kuptimin në krahasimet e kësisojta historike, do të mund të shtonin këtu që nuk është fare çudi që pikërisht sivjet vdiq Mikhail Gorbachev (sepse sivjet ‘vdiq’ edhe Rendi evropian për krijimin e të të cilit ka shumë merita Gorbachev), dhe që Vladimir Putin nuk mori pjesë në varrimin e tij.
Megjithatë, ka diçka të përbashkët më mes të këtyre dy ngjarjeve, të nëntorit të vitit 1989-të, dhe shkurtit të vitit 2022-të.
Në te dy rastet, një herë me paqe, e herën tjetër, me luftë, u kuptua që Rusia më nuk paraqet një fuqi ndërkombëtare politike, ushtarake, ekonomike të dorës së parë.
Qyshdoqoftë që do të merr fund Lufta në Ukrainë, Rusia e Vladimir Putinit do të del humbëse e madhe, sepse e gjithë Bota e lume (si thuhet), mori vesh që nuk është rendi që Rusia mund të luajë një rol të madh në Rendin ndërkombëtar.
Por, dimri i këtij viti dëshmoi më shumë se gjithçka tjetër në këto deceniet e fundit, ngadhnjimin e Samuel Huntingtonit mbi Francis Fukyamën.
Nuk është rendi i Fundit të historisë. Dhe aspekti identitar është gjithsesi kryesori në raportet ndërkombëtare. Kështu do të jetë tash e tutje. Mbase, kështu ka qenë gjithmonë.
22 shkurti i vitit 2022, do ta definojë Evropën (dhe Perëndimin, në përgjithësi), njëlloj si 9 nëntori i vitit 1989.
Nëntori i vitit 1989, bëri të mundur bashkimin e Gjermanisë dhe të Evropës në paqe.
Shkurti i vitit 2022, bashkoi Evropën dhe Amerikën (si asnjëherë më parë, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore), në luftë.
Rusia e Putinit me këtë agresion në Ukrainë, unifikoi Evropën, dhe forcoi rolin e Aleancës Veri-Atlantike, e cila tani është në kulmin e fuqisë dhe të rëndësisë së vet si Pakt ushtarak.
Kur nisi rrënimi i Murit të Berlinit, dihej që një energji e jashtëzakonshme politike dhe e sigurisë, për të mirë, do të lirohet në Evropë, me pasoja të paparashikueshme.
Kur nisi bombardimi i Kijevit, ishte e parashikueshme që një energji e jashtëzakonshme politike dhe e sigurisë, për të keq, do të lirohet në Evropë, me pasoja të paparashikueshme.
Kështu e ka historia.
Nesër: Mënyra se si Kosova dhe Serbia u rreshtuan përballë një kthese tjetër të madhe në historinë e Evropës, të shkurtit të këtij viti, dëshmon që elitat politike të Serbisë nuk kanë mësuar gjë nga pësimet katastrofale prej vitit 1989-të e tutje.