Votojeni themelimin e Kuvendit, mos u përrallisni më shumë!

Prishtinë | 30 Pri 2025 | 17:44 | Nga Behxhet Shala

Lenka Haxhiu po këmbëngul të bëhet kryetare e Kuvendit, pa përkrahjen e opozitës dhe një pjese të pakicave, përkundër “kraki-isjes” nga bashkëpartiakët legjendarë e injorantë. Po na paraqitet si “Iron Lady”, si “Zonja Teneqe”, që gjoja ua ka futur frikën opozitës. Pastaj, një injorant enciklopedik paska thënë se Lenka nuk po votohet sepse është femër. Çfarë idiotësie! Pa diplomë dhe pa logjikë.

Lenka Haxhiu është marionetë e Kurthit, njësoj si “udhëheqësi i seancave 48-orëshe”. Ajo është e detyruar të luajë lojën e Kurthit, sepse pa të jo vetëm që nuk do të ishte pjesë e pushtetit, por nuk do të kërcente as në valle lokale. Nuk është e qartë pse këmbëngul të bëhet kryetare Kuvendi, kur profili dhe kapaciteti i saj “intelektual” gjoja ia mundëson të jetë gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, e në rastin më modest – kryetare e Gjykatës Kushtetuese apo këshilltare seniore në Hagë.

Fatkeqësisht, ky “kapacitet” juridik po shpenzohet në Kuvendin e Kosovës, si pasuese e Glauk Konjufcës, me perspektivën për ministër të jashtëm në Qeverinë “Kurthi 3” – nëse formohet. Që nga fillimi, Kurthi nuk i ka pasur votat as për kryetar Kuvendi e as për qeveri, prandaj po e përdor Lenkën si material shpenzues për manovra politike. Kjo lojë ka përfunduar për të. Kurthi ka llogaritur me saktësi mungesën e një opozite vepruese – përballë tij kemi vetëm një opozitë improvizuese.

Po të kishte opozitë me vizion, do ta kishte kuptuar lojën që në fillim: do ta kishte votuar kandidatin e LVV-së për kryetar Kuvendi për ta shmangur bllokimin institucional. Pas kësaj, vendimmarrja do të ishte ende në duart e opozitës, e Lenka, një herë marionetë, do të bëhej marionetë e opozitës. Pas themelimit të Kuvendit, as Kurthi dhe askush tjetër nuk do të mund të provokonte zgjedhje pa pajtimin e të gjitha subjekteve politike.

Ky ishte një rast i humbur nga opozita. Duke mos votuar, ata i dhanë Kurthit kohë dhe përparësi. Tash, edhe nëse votohet Lenka, Kurthi mund të bllokojë formimin e qeverisë duke mos votuar nënkryetarët e opozitës. Koha punon për të.

Po qeveria?

Ndërkombëtarët duan të formohen institucionet sa më shpejt – jo pse po mendojnë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës apo për gjendjen ekonomike, por sepse duhet të realizohet Marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit. Ajo parashikon autonomi territoriale dhe politike për serbët dhe Kishën serbe. Kësaj i frikësohet Kurthi, sepse zbatimi i saj do të ishte tradhti kombëtare – një ngjitje e sovranitetit të Kosovës në bishtin e sorrës.

Këtë projekt Kurthi e ka ndërtuar me ndihmën e “këshillave të mençur” të mercenarit Weller dhe filojugosllavit Surroi – përfitues të mëdhenj materialë. Kurthi sot po e luan rolin e Abazoviqit, pa asnjë dyshim. Kosova është pa miq, ka bërë shumë armiq, dhe tash nuk po merret askush me të, përveç burokratëve të Brukselit që takojnë antikombëtarin, Besnik Rrencin.

Kosova është në rrugë të rrezikshme – drejt krijimit të dy sovraniteteve paralele: një republikë fantazmë e Kosovës dhe një entitet real që del nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit. E kemi tashmë një eksperiment: ZRrE përballë Elektroseverit – një farsë sovraniteti.

Zgjidhja?

Opozita duhet nesër ta votojë kandidatin e LVV-së për kryetar Kuvendi. Brenda një ore, të votojë edhe qeverinë “Kurthi 3” – për ta futur Kurthin në historinë e harresës politike. Çdo vonesë vetëm sa e forcon atë.

Nëse nesër nuk votohet themelimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë, opozita do të mbetet e zhveshur politikisht dhe strategjikisht. Kurthi do ta shfrytëzojë këtë për t’u ricikluar. Nëse opozita voton dhe vepron, Kurthi nuk do të zgjasë më shumë se 12 muaj. Ata kanë kohë të mendojnë deri nesër në ora 10:00.

Pas kësaj ore, koha nuk do të punojë më për opozitën.

Të ngjashme