Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll në verë do të kthehet në vendin ku i zhvilloi ndeshjet e para zyrtare të saj. Do të jetë palestra “Minatori” në Mitrovicë, ku Kosova do të bëjë përpjekjet e fundit për kalim në raundin kryesor të kualifikimeve për “Eurobasket 2021”.
Kosova ka nisur garimin në raundin e dytë të parakualifikimeve, por prej këtij raundi nuk po ia del të kalojë në kualifikime. Kështu rastin e fundit do ta ketë në raundin e tretë parakualifikues, ku do të ketë kundërshtarë më të dobët se aktualisht, shkruan sot Koha Ditore.
Dhe për ndeshjet që do të luhen në muajin gusht të këtij viti basketbollistët e përzgjedhur nga Damir Mulaomeroviq mund të llogarisin edhe në përkrahjen e madhe të tifozëve, përkatësisht atmosferën e zjarrtë që zakonisht krijohet në “Minatori”.
Në arenën buzë lumit Ibër, Kosova ka luajtur në kualifikimet për “Eurobasket 2017” që ishin të parat për të. Ndeshja e parë ishte ajo ndaj Ukrainës e zhvilluar më 3 shtator 2016, para 2.500 shikuesve. Atë muaj Kosova kishte luajtur edhe me Slloveninë e Bullgarinë, ndërsa i kishte humbur të gjitha gjashtë ndeshjet.